Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi kërkon mbi 1500 euro shpërblim jubilar dhe shujta ditore nga Komuna e Prishtinës

Pallati-6-620x275
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Korrik 21, 2021

Prishtinë – Është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Shemsi Rrahimi e ka paditur Komunën e Prishtinës, konkretisht Drejtorinë Komunale të Arsimit për kompensimin e shpërblimin jubilar dhe shujtave ditore.

Paditësi me anë të precizimit të kërkesëpadisë po kërkon shumën e përgjithshme prej 1,586.25 euro për këto lloje të kompensimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I autorizuari i paditësit, avokati Nysret Islami ka deklaruar se mbetet pranë padisë së ushtruar pranë kësaj gjykate, duke i dorëzuar të njëjtës edhe parashtresën me shkrim lidhur me precizimin e kërkesëpadisë.

Sipas tij, nuk është kontestuese themelësia e kërkesëpadisë, andaj gjykatës i propozoi që kërkesëpadinë e paditësit ta aprovojë në tërësi ashtu që ta detyrojë të paditurën që në emër të kërkesave të parashtruara në padi, të i paguajë shumat si në precizimin e dorëzuar në këtë seancë.

Gjatë kësaj seance, avokati Islami i dorëzoi gjykatës edhe vërtetimin mbi përvojën e punës dhe ditët e prezencës në punë si dhe listën e pagave të paditësit.

Në anën tjetër përfaqësuesja e të paditurës, Fitore Byqmeti e ka kundërshtuar kërkesën e paditësit për shpërblim jubilar dhe shujta ditore me arsyetimin se kompensimet e tilla nuk parashihen me Ligjin e Punës.

Po ashtu, ajo shtoi se e paditura në skemës e saj buxhetore nuk ka paraparë linjë të posaçme buxhetore, andaj i propozoi gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë në tërësi si të pabazuar.

Në seancën e së mërkurës, gjykatësja Valentina Sopjani ka lejuar ndryshimin e padisë sikurse me parashtresën e dorëzuar me shkrim, është bërë edhe administrimi i provave dhe ka konstatuar se shqyrtimi për këtë çështje juridike ka përfunduar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 28 dhjetor 2020, paditësi Shemsi Rrahimi e ka paditur Komunën e Prishtinës, Drejtorinë Komunale të Arsimit për kompensimin e ushqimit gjatë punës dhe shpërblimit jubilar.

Në padi thuhet se, paditësit është i punësuar te e paditura në institucionin arsimore M.M. “Alauddin” në Prishtinë, por që nga hyrja në fuqi e Kontratës Kolektive të Arsimit, e paditura nuk i ka paguar kompensimet e kërkuara.

Andaj, bazuar në nenin 35, paragrafi 7 dhe 8 të kësaj kontrate, paditësit Rrahimi po kërkon që të detyrohet e paditura që t’i paguajë shumat në emër të shpërblimit jubilar dhe shujtave ditore, me kamatë ligjore prej 8% si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, me parashtresën e 21 korrikut 2021, paditësi ka bërë precizimin e kërkesëpadisë duke kërkuar nga e paditura që për 20 vite të përvojës së punës, në emër të shpërblimit jubilar t’i kompensojë 75% të një page bazë në shumën prej 344.25 euro si dhe në emër të kompensimit për ushqim gjatë ditëve të punës, për 621 ditë pune,  nga dy euro për secilën ditë të prezencës në punë, llogaritur prej 18.04.2017 deri më 24.12.2020, shumën prej 1,242.00 euro.

Të gjitha këto në vlerë të përgjithshme prej 1,586.25 euro, me kamatë ligjore prej 8% duke llogaritur nga data e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës./BetimipërDrejtësi