Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi kërkon anulimin e vendimit të Policisë së Kosovës me të cilin i ishte refuzuar ankesa ndaj një polici

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Mars 16, 2021

Prishtinë – Në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi Lulzim Buqinca ka paditur Policinë e Kosovës (PK).

Mbi pretendimin se ishin shmangur procedurat hetimore të cilat paditësi i kishte iniciuar ndaj ish-bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, paditësi po kërkon anulimin e vendimit me të cilin i ishte refuzuar ankesa lidhur me këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi

Gjatë seancës së mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë  u dha fjala përfundimtare.

Për këtë seancë nuk prezantoi e paditura e cila ishte ftuar në mënyrë të rregullt, madje duke mos prezantuar në seancë, gjykatës nuk i është përgjigjur kërkesës së gjykatës për dorëzimin e disa shkresave.

Në fjalën e tije përfundimtare paditësi deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë me propozimin që padia e tij të aprovohet dhe vendimi i atakuar të refuzohet si i pabazuar.

Ndryshe padia në këtë rast ishte ushtruar më 27 shkurt 2018, me të cilën paditësi kishte kërkuar anulimin e vendimit të PK.

Mbi pretendimin se ishin shmangur procedurat hetimore të cilat paditësi i kishte iniciuar ndaj ish-bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, duke u zhdukur deklarata e tij me të cilën ai kishte denoncuar në Polici kanosjen ndaj tij, Buqinca fillimisht kishe ushtruar ankesë në Inspektoratin Policorë të Kosovës më 27 korrik 2017, ndaj policit të rastit.

Mirëpo pas përfundimit të hetimeve më 26 dhjetor 2017, zyrtari policor ishte shpallur i pafajshëm.

I pakënaqur me vendimin e nxjerr ne nivel lokal, paditësi kishte ushtruar ankesë në Komisionin për ankesa për konstatim të gabuar të gjendjes faktike me të cilën pretendon se deklarata e tij e dhënë në polici për kanosje nga ish-bashkëshortja e tij dhe fëmijët ishte zhdukur.

Por më datë 1 shkurt 2018 Komisioni për Ankesa i Policisë së Kosovës merr vendim me të cilin refuzon ankesën e paditësit si të pabazuar.

I pakënaqur me vendimin e shkallës së dytë paditësi më 27 shkurt 2018 ushtron padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Çështje Administrative.

Nga gjykata paditësi ka kërkuar që padia e tij të aprovohet si e bazuar dhe vendimi i atakuar të anulohet. /BetimipërDrejtësi