Përfundon gjykimi në rastin ku mësuesja po kërkon mbi 2 mijë euro për shujtat ditore dhe shpenzimet e udhëtimit

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, të enjten ka përfunduar gjykimi në rastin ku A.S., mësimdhënëse e ciklit klasor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (ShFMU) “Mirali Sejdiu” në fshatin Goshicë të Vitisë, po kërkon kompensimin e shujtave ditore dhe shpenzimeve të udhëtimit në shumën prej 2 mijë e 278 euro.

Në këtë rast, paditësja A.S. në maj të 2020-ës e ka paditur Komunën e Vitisë, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit në këtë komunë, duke kërkuar shumën e lartpërmendur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes, përfaqësuesja e paditëses A.S, avokatja Malsore Halili, ka bërë precizimin e kërkesëpadisë, ashtu që për kompensimin e shujtave ditore për 670 ditë të pranisë në punë ka kërkuar shumën prej 1 mijë e 340 euro, si dhe në emër të shpenzimeve të udhëtimit për relacionin Radivojc-Goshicë  dhe anasjelltas shumën prej 938 euro, gjithsej në total  2 mijë e 278 euro.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani, ka deklaruar se Komuna e Vitisë, përkatësisht DKA, nuk janë palë nënshkruese e Kontratës Kolektive në mes të SBASHK-ut dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, sipas tij, Komuna e Vitisë nuk ka mjete financiare për kompensimin e këtyre benificioneve që i parasheh kjo kontratë.

Ai shtoi se sipas ligjit mbi ndarjen buxhetore në Republikën e Kosovës, komunat nuk kanë të drejtë të paguajnë pagesat për shujta, pasi që këto janë çështje të nivelit qendror, andaj Komuna e Vitisë nuk e ka këtë të drejtë.

Pas administrimit të provave është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, ku përfaqësuesja e paditëses, avokatja Halili ka kërkuar që padia të aprovohet si e bazuar si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës, në shumë prej 270 euro.

Pas kësaj, gjykatësi Alush Sinani, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 4 maj 2020, paditësja A.S. po kërkon nga Komuna e Vitisë, kompensimin e shujtave ditore, si dhe shpenzimeve të udhëtimit.

Në padi thuhet se paditësja është e punësuar në SHFMU “Mirali Sejdiu”, në fshatin Goshicë, në pozitën e mësueses dhe se kërkesën e saj e ka mbështetur në Ligjin e Punës dhe në Kontratën Kolektive të Arsimit, përkatësisht në nenin 35, paragrafi 8 dhe 7 të kësaj kontrate.

Gjithmonë sipas padisë, paditësja fillimisht kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës, por siç thuhet kjo e fundit kishte kthyer përgjigje negative.

Me kërkesëpadi, paditësja po kërkon nga e paditura që asaj t’ia paguajë shujtat ditore për ditët e pranisë në punë dhe shpenzimet e udhëtimit, ku shuma e përgjithshme kapë vlerën prej 2 mijë e 278 euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë