Përfundon gjykimi në rastin ku mësimdhënësja po kërkon kompensimin e shujtave ditore në shumën mbi 1 mijë e 200 euro

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti-Në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti, të martën ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësja A.Z po kërkon nga e paditura Komuna e Vitisë, kompensimin e shujtave ditore në vlerë prej 1 mijë e 206  euro.

Fillimisht në këtë seancë, përfaqësuesi i paditëses A.Z., avokati Minir Arifi, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, ashtu që për kompensimin e shujtave ditore, për 2 euro, duke llogaritur 603 ditë të pranisë së paditëses në punë,  kërkon shumën e përgjithshme prej 1 mijë 206 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani, ka deklaruar se Komuna e Vitisë, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), nuk janë palë nënshkruese e Kontratës Kolektive në mes të SBASHK-ut dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, sipas tij, Komuna e Vitisë dhe nuk ka mjete financiare për kompensimin e këtyre benificioneve që i parasheh kjo kontratë.

Ai shtoi se Komuna e Vitisë, nuk ka të drejtë ligjore sipas ligjit mbi ndarjen buxhetore në Republikën e Kosovës, që komunat të paguajnë pagesat për shujta, pasi që këto janë çështje të nivelit qendror.

Pas administrimit të provave, është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, ku avokati Arifi ka kërkuar që padia të aprovohet si e bazuar, si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 270 euro.

Më pas, gjykatësi Alush Sinani ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtuar më 30 dhjetor 2020, paditësja A.Z. po kërkon nga e paditura Komuna e Vitisë, kompensimin e shujtave.

Në padi thuhet se paditësja A.Z. është në marrëdhënie të rregullt pune tek e paditura DKA, si mësimdhënëse e lëndës së gjuhës angleze në shkollën “Dëshmorët e Lubishtës”, në fshatin Buzovik të Vitisë.

Lidhur më këtë, thuhet se e paditura përkundër detyrimeve, përkatësisht fitimit të të drejtave të cilat rrjedhin në Kontrata Kolektive e Arsimit, e nënshkruar në mes të palëve, nuk ka kryer obligimet të parapara sipas kontratës.

Prandaj, me anë të kësaj padie, paditësja A.Z. po kërkon nga gjykata që të aprovohet në tërësi kërkesëpadia dhe që të detyrohet e paditura DKA në emër të kompensimit të ushqimit për ditët e pranisë në punë, për një ditë pune nga dy euro si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë