Përfundon gjykimi në rastin ku mësimdhënësi po kërkon mbi 1 mijë euro për shujtat ditore dhe shpenzimet e udhëtimit

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, të martën ka përfunduar gjykimi në rastin ku B.R., mësimdhënës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (ShFMU) “Dëshmorët e Lubishtës” në fshatin Lubishtë të Vitisë, po kërkon kompensimin e shujtave ditore dhe shpenzimeve të udhëtimit në shumën prej 1 mijë e 44 euro e 40 centë.

Në këtë rast, paditësi B.R. në tetor të 2020-ës e ka paditur Komunën e Vitisë, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit në këtë komunë, duke kërkuar shumën e lartpërmendur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, përfaqësuesi i paditësit B.R. avokati Granit Ramadani, ka bërë precizimin e kërkesëpadisë, ashtu që për kompensimin e shujtave ditore për 468 ditë të pranisë në punë ka kërkuar shumën prej  924 euro, si dhe në emër të shpenzimeve të udhëtimit për relacionin Lubishtë-Viti-Goshicë  dhe anasjelltas shumën prej 120 euro, gjithsej në total 1 mijë e 44 euro e 40 centë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani, ka deklaruar se Komuna e Vitisë, përkatësisht DKA, nuk janë palë nënshkruese e Kontratës Kolektive në mes të SBASHK-ut dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, sipas tij, Komuna e Vitisë nuk ka mjete financiare për kompensimin e këtyre benificioneve që i parasheh kjo kontratë.

Ai shtoi se sipas ligjit mbi ndarjen buxhetore në Republikën e Kosovës, komunat nuk kanë të drejtë të paguajnë pagesat për shujta, pasi që këto janë çështje të nivelit qendror, andaj Komuna e Vitisë nuk e ka këtë të drejtë.

Pas administrimit të provave është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, ku përfaqësuesja e paditëses, avokati Ramadani ka kërkuar që padia të aprovohet si e bazuar si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës, në shumë prej 270 euro.

Pas kësaj, gjykatësi Alush Sinani, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 27 tetor 2020, paditësi B.R po kërkon nga Komuna e Vitisë, kompensimin e shujtave ditore, si dhe shpenzimeve të udhëtimit.

Në padi thuhet se paditësi është i punësuar në SHFMU “Dëshmorët e Lubishtës”, në fshatin Lubishtë, në pozitën e mësimdhënësit dhe se kërkesën e tij e ka mbështetur në Ligjin e Punës dhe në Kontratën Kolektive të Arsimit, përkatësisht në nenin 35, paragrafi 8 dhe 7 të kësaj kontrate.

Gjithmonë sipas padisë, paditësja fillimisht kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës, por siç thuhet kjo e fundit kishte kthyer përgjigje negative.

Me kërkesëpadi, paditësja po kërkon nga e paditura që asaj t’ia paguajë shujtat ditore për ditët e pranisë në punë dhe shpenzimet e udhëtimit, ku shuma e përgjithshme kapë vlerën prej 1 mijë e 44 euro e 40 centë. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë