Përfundon gjykimi në rastin ku “Kosova e Re” kërkon rimbursim dëmi pas aksidentit në trafik

A- gjykata (1)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Gusht 9, 2019

Prishtinë – Kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, po kërkon 230 euro rimbursim të dëmit, nga tani i padituri Egzon Ahmeti.

Këtë shumë, kjo kompani, e kërkon pasi që sipas padisë, aq e kishte kompensuar të dëmtuarën me rastin e aksidentit në trafik, që kishte ndodhur në prill të vitit 2012, në Prishtinë.

Lidhur me padinë e kompanisë “Kosova e Re”, të premten ka përfunduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në të cilën seancë ka munguar i padituri Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Enver Shabanaj, për të paditurin Ahmeti, ka njoftuar në fletkthesë ishte shënuar që i padituri ishte jashtë vendit sipas konfirmimit të babait të tij, mirëpo sipas Shabanajt, gjykata nuk ishte njoftuar me asgjë konkrete.

Ai ka thënë se edhe në seancën paraprake të mbajtur më 6 qershor 2019, i padituri ishte ftuar në mënyrë të rregullt, ku sipas fletkthesës ishte pranuar nga babai i tij, por që i padituri nuk kishte prezantuar në seancë, dhe mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Andaj, përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Veton Robaj, ka propozuar që shqyrtimi të mbahet në mungesë të të paditurit Ahmeti, i cili propozim më pas është aprovuar nga gjykatësi Shabanaj.

Avokati Robaj, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë kërkesëpadisë, duke kërkuar nga gjykata që ta obligojë të paditurin që të rimbursojë vlerën që paditësja ka paguar në emër të kompensimit të dëmit, duke përfshirë kamatën ligjore prej 8%, si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato procedurale.

Ai ka deklaruar se i padituri, Egzon Ahmeti, ka shkaktuar aksident trafiku në Prishtinë, duke drejtuar motoçikletën, me ç’rast e ka goditur veturën “Opel”, ku të dëmtuarës i kishte shkaktuar dëm material në shumën prej 230 euro, të cilin dëm, sipas tij, paditësja ia ka kompensuar të dëmtuarës.

Ai tha se në momentin e aksidentit, tani i padituri Ahmeti, nuk posedonte patentë shofer, andaj sipas tij, e ka humbur mbulesën siguruese.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 19 tetor 2016, kompania e sigurimeve “Kosova e re”, po kërkon nga i padituri Egzon Ahmeti, që t’ia kompensojë shumën prej 230 euro, në emër të rimbursimit, për shkak të aksidentit të shkaktuar më 23 prill 2012, në Prishtinë.

Në padi thuhet që i padituri Ahmeti, ka shkaktuar aksident në komunikacion me motoçikletë “Bamoto”, ku e kishte goditur veturën “Opel”, e cila kishte mbulesë sigurese, mirëpo në momentin e aksidentit motoçikletën e kishte drejtuar, tani i padituri Ahmeti, i cili në atë kohë nuk posedonte patentë shoferin.

Pasi që sipas padisë, pas aksidentit, kjo komani e ka kompensuar palën e dëmtuar, shumë prej 230 euro, e kërkon nga tani i padituri, në emër të rimbrsimit të dëmit, /BetimipërDrejtësi