Përfundon gjykimi në rastin ku Komuna e Parteshit kërkon anulimin e vendimit të KPMSHCK-së për rivlerësimin e nëpunësit civil

Pallati 7 (3)
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Shkurt 7, 2020

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku Komuna e Parteshit, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

KPMSHCK-ja kishte marrë aktvendim me të cilin kishte aprovuar ankesën e paditësit Stojadin Bujiq, kundër vendimit të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të Ankesave të Komunës së Parteshit, dhe atë, në çështjen juridike kundër rivlerësimit jo objektiv të punës për vitin 2015.

Në vendim thuhet se paditësi Bujiq i ishte drejtuar me ankesë kryetarit të Komunës së Parteshit, ku kjo e fundit kishte bërë refuzimin e të njëjtës, si të pabazuar.

I pakënaqur me këtë vendim, Bujiq kishte ushtruar ankesë edhe tek Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të Ankesave,  e cila po ashtu kishte nxjerrë aktvendim refuzues.

Por, më pas KPMSHCK-ja, kishte nxjerr vendim ku e kishte obliguar kryetarin e Komunës së Parteshit që në afat prej 15 ditëve të bëj rivlerësimin e rezultateve në punë për nëpunësin Stojadin Bujiq.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Hysni Mustafa, ka thënë se mbetet pranë përgjigjes në padi, duke i propozuar gjykatës që të bëj refuzimin e kërkesëpadisë së paditësit, në atë mënyrë që vendimi i kontestuar i Këshillit të mbetet në fuqi.

Sipas padisë, së ushtruar më 16 janar 2017, Komuna e Parteshit e ka paditur KPMSHCK-në, lidhur me vlerësimin negativ të punës së paditësit Stojadin Bujiq, të nxjerr nga kryetari i Komunës së Parteshit, të cilin vendim e ka lënë në fuqi edhe Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave.

Siç thuhet në padi, vendimi i marrë nga KPMSHCK-ja, kërkohet të prishet si i paligjshëm, dhe që organi i paditur të bie vendim të ri. /Betimipërdrejtësi