Përfundon gjykimi në rastin ku ish-infermieri i QKUK-së kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

A Gjykata (2)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prill 15, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ka përfunduar procedura civile ndërmjet paditësit Haki Buqaj dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK ), si palë e paditur, për kompensimin e gjashtë pagave pas daljes në pension.

Në fjalën përfundimtare, paditësi Buqaj, ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj, si dhe deklarimeve të dhëna deri më tani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet e paditura që t’ia kompensojë tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse, në shumë prej 2652 euro.

Paraprakisht paditësi Buqaj, gjykatës si prova i ka dorëzuar librezën e punës, e cila sipas tij vërteton përvojën e punës 43 vjeçare tek punëdhënësi i fundit, si dhe pasqyrën financiare të lëshuar më 20 mars 2019, nga banka “Procredit”.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesja e të paditurës, Afërdita Ajeti, ka deklaruar se qëndron pranë përgjigjes në padi dhe deklarimeve të dhëna deri tani.

“Sa i përket pagës mujore të paditësit të cekura në padi është në shumë prej 442 euro, i njëjti në këtë pagesë e ka përfshirë edhe shujtën prej 45 eurove, por që paga bazë pa shujtë e paditësit ka qenë 377 euro, e jo siç ceket në padi”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se përllogaritja e pagave duhet të bëhet sipas listës së pagave, të cilën e njëjta e kishte dorëzuar në gjykatë 12 mars 2019, në të cilën listë sipas saj, në pagën mujore nuk përfshihet shujta në shumë prej 45 eurove.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia të refuzohen si të pabazuar.

Gjykatësi i rastit Ylber Shurdhiqi, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me aktgjykimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 31 korrik 2018, pretendohet se paditësi Buqaj, më 23 qershor 2018, kishte dal në pension, ku ishte në marrëdhënie pune si infermier në Klinikën e Reumatologjisë, Alergologjisë dhe Imonuligjisë të QKUK-së, me pagë mujore prej 442 euro.

Në padi ai pretendon se pas përfundimit të kontratës së punës dhe daljes në pension, sipas Kontratës së Përgjithshme Kolektive i takojnë tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse.

Sipas padisë, e paditura QKUK, nuk ka respektuar dispozitat në fuqi dhe e njëjta nuk e ka bërë pagesën e pagave të kërkuara nga i padituri.

Në padi, thuhet se baza juridike e kërkesëpadisë mbështetet në Kontratën Kolektive për punëtor, sipas së cilës kontratë punëtori i cili ka përvojë 30 vjeçare tek punëdhënësi i fundit ka të drejtën e shpërblimit të tri pagave jubilare, si dhe tri pagave përcjellëse.

Me anën e kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që kërkesëpadia e paditësit të aprovohet si e bazuar, dhe të detyrohet e paditura që paditësit t’i paguaj tri paga jubilare në shumë prej 1326 euro dhe tri paga përcjellëse në shumë prej 1326 euro. /Betimipërdrejtësi