Përfundon gjykimi në rastin ku ish-asistentja e Fakultetit të Mjekësisë kërkon nga UP-ja mbi 29 mijë euro

07.12.2020 (1)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI GRAJҪEVCI

Prill 7, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësja Rozafa Koliqi po kërkon nga  Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, anulimin e vendimit mbi ndërprerjen e  marrëdhënies së punës dhe kompensimin e dyfishti të pagave të pa paguara, në vlerë mbi 29 mijë euro.

Fillimisht në seancën e së mërkurës, është dëgjuar eksperti financiar, Riza Blakaj, i cili e ka elaboruar ekspertizën financiare të datës 30 gusht 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Blakaj ka thënë se qëndron pranë mendimit dhe konstatimin e dhënë me shkrim në ekspertizën e 30 gushtit 2020.

Tutje, në pyetjet e përfaqësuesit të paditurës Safet Thaqi, eksperti ka thënë se duke u mbështetur në të dhënat nga dokumentacioni mbështetës e ka bërë përllogaritjen e pagave dhe atë prej ndërprerjes së marrëdhënies së punës e gjer në punësimin e serishëm, si dhe prej ndërprerjes gjer në punimin e ekspertizës si variant e dytë, si dhe përllogaritjen e dyfishit të pagave siç është kërkuar me aktvendimin e e gjykatës.

Tutje, eksperti Blakaj ka thënë se përllogaritja është bërë duke u mbështetur në lartësinë e pagës së fundit të realizuar në cilësinë e asistentit të ri.

Pas dëgjimit të ekspertit, gjykatësja e rastit Hidajete Gashi me vendim e ka refuzuar propozimin e përfaqësuesit të paditëses, Taulant Hajdari, për bashkimin e kësaj lënde me një lëndë tjetër, me arsyetimin se dy lëndët kanë baza të ndryshe.

Pas kësaj, janë administruar provat, gjatë kësaj seance dhe është dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse.

Përfaqësuesi i paditëses, Hajdari ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj dhe parashtresave të paraqitura gjatë rrjedhës procedurale.

Tutje, ai ka kërkuar nga gjykata që të veproi komfort deklarimeve të paditësit dhe komfort ekspertizës financiare, duke konsideruar se e paditura me vendimet e  saj arbitrare dhe të kundërligjshme i ka shkaktuar dëme të mëdha paditëses.

“Këto vendime e paditura i ka ndërmarrë pasi që paditësja çdo herë ka reaguar kundrejt padrejtësive që janë bërë asaj, duke bërë të gjitha vendimet  e të paditurës të nxirren mbi bazën e konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, ka thënë përfaqësuesi i paditëses.

Tutje, ai ka thënë se vendimi mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës është nxjerr duke mos i respektuar dispozitat e Ligjit të Punës konkretisht neni 70 paragrafi 1 .6 pika 1, si dhe duke mos respektuar kushtet nga paragrafi 2  i këtij neni, po ashtu edhe neni 8 i Statutit të UP-së.

Mbi këtë bazë, ai i ka kërkuar nga gjykata që padinë e paditëses ta aprovoi në tërësi si të bazuar, si dhe të detyrohet e paditura ta anuloj vendimin dhe t’ia kompensoi dyfishin e pagave të pa paguara, sipas precizimit të kërkesëpadisë.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Safet Thaqi në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se qëndron pranë deklarimeve të thëna në këtë gjykatë, pranë deklarimeve të kësaj seance, duke pretenduar se e paditura vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga pozita e asistentes e ka marr komfort depozitave ligjore të statutit të UP-së, rregulloreve dhe akteve sipas të cilave funksionon UP-ja.

Tutje, Thaqi ai i ka propozuar gjykatës që pas administrimit të provave që padinë dhe kërkesëpadinë ta refuzoj si të pa bazuar.

Pas dëgjimit të palëve ndërgjyqëse, gjykatësja Gashi ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, me parashtresën e datës 5 shkurt 2021, paditësja e ka precizuar kërkesëpadinë në aspektin objektiv, sipas të cilit precizim ajo po kërkon që t’i kompensimin e 29,246.10 euro në emër të dyfishit të pagave të pa paguara.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 27 shkurt 2017, paditësja Rozafa Koliqi po kërkon nga UP-ja anulimin e vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe kompensimin e dyfishit të pagave të pa paguara që nga largimi nga puna.

Në padi paditësja pretendon se, e paditua në kundërshtim me Ligjin e Punës, Ligjin kundër Diskriminimit, Statutin e UP-së dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore, ka nxjerr vendim më të cilin ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës si asistente.

Siç thuhet në padi, paditësja ishte emëruar për herë të parë si asistente për lëndën farmaci klinike në Fakultetin e Mjekësisë  me datën 22 tetor 2007, por siç thuhet me rastin e rizgjedhjes në vitin 2010 – 2011 për të njëjtën pozitë, ishte zgjedhur kandidati Naim Morina, ndërsa paditësja ishte zgjedhur për lëndën informatikë farmaceutike.

Bazuar në padi, me 3 mars 2015 Komisioni Recenzues i Fakultetit të Mjekësisë kishte hartuar raport për zgjedhjen e stafit akademik, dhe në këtë raport ishte konstatuar se paditësja i plotëson të gjitha kushtet që të emërohet në thirrjen asistente në lëndën farmaci klinike me farmakoterapi, ndërsa në këtë raport siç thuhet Naim Morina nuk ishte propozuar që të emërohet asistent në këtë lëndë.

Siç thuhet në padi, Senati i UP-së me 20 shtator 2016 kishte marrë vendim në kundërshtim me propozimin e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, dhe siç thuhet e kishte zgjedhur Naim Morinën për asistent në lëndën farmaci klinike me farmakoterapi, ndërsa paditësen e kishte zgjedhur si asistente në një pozitë në të cilën nuk kishte aplikuar.

Gjithmonë sipas padisë, pas ankesës të ushtruar nga paditësja kundër vendimeve të të paditurës si dhe denoncimit për dyshimin për veprimeve korruptive, e paditura ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës.

Sipas padisë, paditësja nuk kishte marrë asnjë njoftim paraprak nga e paditura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Prandaj, mbi këtë bazë paditësja po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që ta anuloj vendimin me të cilin ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës, si dhe t’ia kompensoj dyfishin e pagave të pa paguara që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës. /BetimipërDrejtësi