Përfundon gjykimi në rastin ku infermierja e SHSKUK-së kërkon kompensimin e dy pagave jubilare

2
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Prill 7, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku infermierja Naime Hoxha, ka paditur Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Sipas padisë së ushtruar në dhjetor të vitit 2019, paditësja kërkesën e saj e ka bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës, konkretisht në nenin 52 të saj, si dhe në Kontratën Kolektive Sektoriale për Shëndetësi.

Lidhur me këtë rastë, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, palët ndërgjyqëse kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditëses avokati Isak Hoxha, tha se mbetët pranë padisë dhe kërkesës së saj e cila padi tha se është e bazuar në Kontratën Kolektive Sektoriale të nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Ndërsa në fjalën përfundimtare ai tha se me administrimin e provave është vërtetuar se duke u bazuar në KKS-në, paditësja sipas tij i plotëson kriteret për përfitimin e shpërblimit jubilar.

Andaj, ai i ka propozuar gjykatës që ta miratoj kërkesëpadinë e paditëses në tërësi si të bazuar dhe të detyrohet e paditura që asaj t’ia kompensoi shumën prej 930.26 euro, në emër të dy pagave jubilare dhe atë me kamat ligjore prej 8%, duke e llogaritur nga data e parashtrimit të padisë e deri në pagesën përfundimtare, si dhe shpenzimet e procedurës në shumën e përgjithshme prej 259 euro.

E në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës Teuta Islami, e ka kundërshtuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses me arsyetimin se një kompensim i tillë nuk është paraparë me Ligjin e Punës.

Sipas saj, paditësja për realizimin e kësaj të drejte është dashur t’i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë me arsyetimin se nënshkruese e KKS-së, ka qenë kjo ministri duke shtuar se Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk i është ndarë buxhet për implementimin e kësaj kontrate.

Po ashtu, përfaqësuesja e të paditurës Islami, e ka kundërshtuar edhe lartësinë e kërkesëpadisë pasi që sipas saj nga vërtetimi i vitit 2019, për të cilin tha se i është bashkangjitur shkresave të lëndës shihet se paga mujore e tani paditëses është 425 euro.

Andaj, ajo ka kërkuar nga gjykata që padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses ta refuzoj në tërësi si të pabazuar.

Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare të palëve ndërgjyqëse gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, njofoi se kjo çështje kontestimore ka përfunduar dhe se palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas përgjigjes në padi që Qendra Klinike Universitare e Kosovës, kishte dhënë më 27 janar 2021, e ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditëses Hoxha, me arsyetimin se një kompensim i tillë nuk është paraparë me Ligjin e Punës si dhe QKUK-së nuk i është ndarë buxhet për përmbushjen e këtij detyrimi.

Sipas padisë së ushtruar më 10 dhjetor 2019, paditësja Naime Hoxha, është në marrëdhënie pune te e paditura në vendin e punës Infermiere në Klinikën Interne në repartin e dializës të ShSKUK-së, në Prishtinë që nga viti 1990, e cila vazhdon ende në të njëjtën klinik.

Në padi thuhet se e paditura paditëses nuk ia ka paguar dy paga jubilare sipas MPKK-së konkretisht nenit 52, ku thuhet se “I punësuara ka të drejtë në shpërblim jubilarë, dhe atë pika 1.2 e këtij neni për 20 vite të përvojës së punës pandërprerë te punëdhënësi i fundit në vlerë të dy pagave mujore”, si dhe sipas KKS-së, konkretisht nenit 17 par 3, pika3.2, ku është paraparë se punëtorët shëndetësor, në vitet jubilare përfitojnë shpërblimin jubilar.

Mbi këtë bazë, paditësja po kërkon nga gjykata që të detyrohet e paditura që asaj t’ia paguaj shperblimin jubilar në shumën prej 930.26 euro, me kamat ligjore prej 8%, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi