Përfundon gjykimi në rastin e padisë për kompensimin e shujtave ditore dhe udhëtimit

Foto 22.02.2021
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Shkurt 22, 2021

Malishevë – Të Hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka përfunduar gjykimi, në rastin ku mësimdhënësja Edona Kastrati, po kërkon kompensim për shujtat ditore dhe shpenzimet e udhëtimit në shumën e përgjithshme prej 735.10 euro, nga Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Arsim dhe Edukim në këtë komunë.

Fillimisht në  këtë seancë, përfaqësuesi i paditëses, avokati Albert Kryeziu, e ka precizuar padinë, lidhur me afatshmërinë e parashkrimit që ka të bëjë me shujtat ditore, duke kërkuar që shujtat të kompensohen nga e paditura nda data 17 dhjetor 2017, deri në datën 31 gusht 2019.

Tutje, Kryeziu gjykatës dhe palës së kundërt iu ka dorëzuar vërtetim mbi çmimin e biletave të udhëtimit, si dhe vërtetimin për ditët e prezencës në punë të paditëses, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Mujë Sahitaj, ka deklaruar se qëndron pranë përgjigjes në padi, duke shtuar se e konteston edhe më tej padinë e paditëses si të pa pabazuar, po ashtu e konteston edhe pjesën që ka të bëjë me udhëtimin, pasi që paditësja ka sjellë vetëm dy bileta udhëtimi.

Pas administrimit të provave, në këtë seancë është dhënë  edhe  fjala përfundimtare e palëve ndërgjyqëse.

Përfaqësuesi i paditëses, avokati Kryeziu në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se qëndron pranë deklarimeve të më hershme si dhe precizimit të kërkesëpadisë.

“Nga provat e parashtruara në seancën përgatitore dhe në shqyrtim u vërtetua plotësisht se padia e paditëses është e bazuar, prandaj nga gjykata kërkojmë aprovimin e saj dhe atë për kompensimin e shujtave ditore shumë prej 600 euro, si dhe shumën prej 735.10 euro në emër të kompensimit të udhëtimit”, tha avokati Kryeziu.

Krahas kërkesës për kompensimin të shujtës dhe udhëtimit, avokati Kryeziu, ka kërkuar të paguhen edhe shpenzimet procedurale në shumën e përgjithshme prej 395 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, avokati publik komunal, Mujë Sahitaj tha se, kërkesëpadinë dhe precizimin e saj konteston tërësisht, me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore.

Ai ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë ta refuzojë si të pabazuar.

Ndryshe, sipas padisë, paditësja Edona Kastrati nga viti 2015 deri në vitin 2019, ka punuar mësuese në Shollën Fillore e Mesme e Ulët “Fehmi Agani” në fshatin Turjakë, Komuna e Malishevës, kurse nga tetori i vitit 2019, vazhdon të punojë në Qerdhën “Zërat e Ëmbël”, në  Malishevë.

Bazën e kërkesëpadisë paditësja po e bazon në kontratat kolektive të lidhura në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe SBASHK-ut.

Sipas padisë, paditësja Kastrati kërkon nga gjykata që të detyrohet e paditura Komuna e Malishevës, që t’i kompensohet ushqimi në punë për gjithsej 432 ditë pune, në vlerën e përgjithshme prej 864 euro. /BetimipërDrejtësi