Përfundon gjykimi në rastin e ish-mësimdhënëses që kërkon pagat pas pensionimit nga Komuna e Gjakovës

Gjakovee (4)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Tetor 9, 2019

Gjakovë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është dhënë fjala përfundimtare në kontestin civil ku ish-mësimdhënësja, Lumturije Dautaga po kërkon pagat përcjellëse pas pensionimit dhe shpërblimin jubilar nga Komuna e Gjakovës.

Në fillim të seancës të së mërkurës në të cilën ka munguar përfaqësuesi nga Komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit në këtë komunë, paditësja Dautaga ka bërë precizimin e kërkesëpadisë.

Sipas precizimit të padisë së bërë nga paditësja, tani ajo po kërkon nga e paditura që në emër të tri pagave me rastin e daljes në pension t’ia paguajë asaj shumën prej 1,617.12 euro, ndërsa në emër të shpërblimit jubilar për 38 vjet përvojë pune, shumën prej 539.04 euro.

Pas administrimit të provave, në fjalën e saj përfundimtare paditësja Dautaga deklaroi se është vërtetuar në tërësi baza e kërkesëpadisë, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtën ta aprovojë si të bazuar.

Ndryshe, sipas padisë së parashtruar më 19 mars 2019, paditësja Lumturije Dautaga e ka paditur Komunën e Gjakovës, përkatësisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, nga e cila kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit dhe shpërblimin jubilar.

Sipas padisë, paditësja ka qenë në marrëdhënie pune të rregullt te Komuna e Gjakovës, Drejtoria e Arsimit, ku ka punuar në cilësi të mësimdhënëses deri në kohën e pensionimit.

Sipas padisë, baza ligjore e padisë mbështetet në Kontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar ku është rregulluar çështja e shpërblimit jubilar dhe pagave pas daljes në pension.

Andaj, sipas padisë, po kërkon nga gjykata që të merret aktgjykim me anë të së cilit do të aprovohej kërkesëpadia e paditëses dhe do të detyrohej e paditura që në emër të pagave pas pensionimit dhe shpërblimit jubilar t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 2,157.11 euro. /BetimipërDrejtësi