Përfundon gjykimi në rastin e ish-mësimdhënëses që kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Janar 13, 2020

Pejë – Ka përfunduar procedura civile në rastin e ish-mësimdhënëses, Hidajet Krasniqi, e cila ka kërkuar nga Komuna e Pejës, përkatësisht nga Drejtoria e Arsimit, kompensimin e tri pagave përcjellëse dhe shpërblimin jubilar, në shumë prej 3.280,55 euro.

Lidhur me këtë çështje kontestimore, të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, është mbajtur seanca kryesore, ku pas administrimit të provave nga ana e gjykatëses së çështjes Ganimete Puka, palët në procedurë kanë dhënë fjalët përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditëses, avokati Besim Ahmetaj, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj, duke kërkuar nga gjykata që atë ta aprovojë si të bazuar.

Ndërsa, përfaqësuesja e të paditurës, avokatja Drita Sopi- Gashi, ka kërkuar nga gjykata që paditëses t’i refuzohet kërkesëpadia në raport me shpërblimin jubilar.

Ajo e ka kundërshtuar ekspertizën financiare të ekspertit Ali Shujaku, me arsyetimin se eksperti duhet të bëjë llogaritjen e pagave, siç thuhet në Kontratën Kolektive dhe jo të bëjë llogaritje sipas kontributit pensional dhe tatimit.

Pas kësaj, kjo procedurë ka përfunduar, ku palët më pas do të njoftohen lidhur me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë dhe precizimit të saj, të ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë, paditësja Hidajet Krasniqi, ka kërkuar nga Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, që në emër të tri pagave përcjellëse dhe shpërblimit jubilar, t’ia kompensojë shumën prej 3.280,55 euro, me kamatë prej 8%.

Në padi thuhet që paditësja ka qenë mësimdhënëse në shkollën fillore “Dardania”, në Pejë, për mbi 37 vjet, dhe më 23 mars 2017, i është ndërpre marrëdhënia e punës, për shkak të arritjes së moshës së pensionimit.

Më pas, thuhet se ajo i është drejtuar Drejtorisë së Arsimit, për t’ia kompensuar shumën në fjalë, por e njëjta i është përgjigjur që Komuna një të drejtë të tillë nuk mund ta realizojë, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

Ajo më pas i është drejtuar Gjykatës me padi, nga e cila kërkon që të obligohet Komuna e Pejës, që asaj t’i kompensohet shuma që pretendon se i takon, pas daljes në pension.  /BetimipërDrejtësi