PËRFUNDON GJYKIMI NË RASTIN E DALLAVEREVE ME PATENTSHOFERË NË PRIZREN, AKTGJYKIMI MË 19 PRILL

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten,  ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Agim Bytyqi, instruktor autoshkolle, i cili akuzohet nga prokuroria se ka shpërdoruar  pozitën zyrtare, duke përfituar të mira materiale, në mënyrë të paligjshme, për vete dhe personat tjerë, duke u ndihmuar kandidatëve për të marrë patentëshoferin, në mënyrë të parregullt.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se nga seancat e mbajtura në këtë shqyrtim gjyqësor, nga provat materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve, me padyshim është vërtetuar se i akuzuari Agim Bytyqi, duke kryer detyrën e tij, si instruktor në autoshkollën “Golf”, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke i mundësuar kandidatëve të marrin patentshoferët, në mënyrë të parregullt, andaj ka kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Bytyqi, avokati Ruzhdi Berisha, në fjalën përfundimtare ka thënë se për të ekzistuar vepra penale, për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, duhet që personi i caktuar të ndërmerr veprime për të cilat nuk është i autorizuar ose mos të ndërmarrë veprime për të cilat është i obliguar të merr dhe krejt kjo me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo për të tjerët. Më tej ka shtuar se në aktakuzë nuk janë precizuar veprimet për të cilat i akuzuari është dashur apo nuk është dashur të veprojë, të cilat veprime, sipas tij, do të formonin elementet e veprës penale.

Poashtu ka theksuar se nuk është kontestuese se i mbrojturi i tij ka qenë instruktor në autoshkollën “Golf” në Prizren, se i njëjti ka qenë i autorizuar nga bashkëshortja e tij, si pronare e autoshkollës, për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për funksionimin e rregullt të autoshkollës, se i njëjti ka marrë 400 euro nga dëshmitari në këtë rast Urim Kryeziu, por sipas tij, me asnjë ligj apo rregullore të asaj kohe nuk është paraparë se sa duhet të paguajë kandidati për regjistrim, aftësim dhe nënshtrim të provimit për shofer.

Avokati më pas ka theksuar se patentshoferin nuk ja ka dhënë i akuzuari, Urim Kryeziut, por ministria përkatëse dhe se për egzaminer e ka pasur Nashid Nuhi i cili e ka vlerësuar e poashtu të njëjtit i është ngritur aktakuzë, por gjykata e ka shpallur të pafajshëm, bazuar në të gjitha këto, sipas tij, në seancat e mbajtura dhe me provat e administruara, nuk është arritur të vërtetohet, se në veprimet e të mbrojturit të tij, formohen elementet e veprës penale për të cilën akuzohet, andaj ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm i pafajshëm.

Kryetari i trupi gjykues, Skender Çoçaj, ka shpallur të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për datën 19.04.2016, në ora 09:00.

Në vitin 2007, Prokuroria Komunale e asaj kohe, pas transmetimit të ngjarjes së dallavereve me patentshofer në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’ të  televizionit TOP Channel, kishte ngritur aktakuzë ndaj Agim Bytyqit, për marrje të ryshfetit nga neni 343 dhe shpërdorim të pozitës zyrtare nga neni 339. Rasti është gjykuar dy herë më parë, një herë me gjykim lirues dhe një herë me gjykim dënues, por Gjykata e Apelit në të dyja rastet e ka kthyer lëndën në rivendosje.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë