PËRFUNDON GJYKIMI NDAJ PRONARIT TË KOLEGJIT “FAMA”, AKTGJYKIMI SHPALLET MË 5 PRILL

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarave Selal Ahmetxhekaj dhe Rraif Haliti për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Prokurori i shtetit, Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe dëshmitarëve të dëgjuar e sidomos me dëshminë e të dëmtuarit në këtë rast, Lulzim Kabashi, sipas tij, me padyshim është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë, dhe se nga veprimet e të pandehurve formohen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, andaj ka propozuar që të njëjtët të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Selal Ahmetxhekaj, avokati Hazër Susuri, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se provat të cilat janë administruar në tërësi e kundërshtojnë aktakuzën sepse si fillim sipas tij duhet trupi gjykues të vendos nëse i akuzuari i tij është person zyrtar, pasi që ai ka biznes privat dhe nuk merr pagë nga taksapaguesit, më tej ka shtuar se kontratën për shit-blerje të parcelës për ndërtimin e kolegjit “FAMA”, është përpiluar nga i dëmtuari në këtë rast dhe është caktuar vlera 200 mijë euro, ndërsa ai vetë ka kërkuar që shuma tjetër prej 215 mijë euro të bartet përmes ndërmjetësit Xhavit Shabanit, me këtë rast ka cekur se ai ka pasur për qëllim që t’i ikë tatimit apo të fshehë shumën e vërtetë të shitjes nga shitësi tjetër, ndërsa sipas tij krejt problemi kishte filluar kur autostrada kishte ndërruar drejtim dhe kishte rënë nëpër tokë të tij, me këtë rast i dëmtuari Lulzim Kabashi, sipas tij kishte tentuar ta rrisë çmimin e tokës, duke kërkuar prishjen e kontratës së vërtetuar në gjykatë dhe ndryshimit të çmimit, më tej ka theksuar se në këtë rast më shumë kemi të bëjmë me veprime që kanë të bëjnë me aspekt civilo-juridik se sa penalo-juridik, andaj ka kërkuar që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm nga akuza me të cilën ngarkohet me aktakuzë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Rraif Halili, avokati Visar Ostrozubi, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se i mbrojturi i tij nuk është person zyrtar sepse ai asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje kontraktuale me kolegjin “FAMA”, dhe nuk mund të akuzohet se ka vepruar në ndonjë mënyrë, sipas ndonjë autorizimi, andaj ka kërkuar që i njëjti, të lirohet nga akuza, në mungesë të provave.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka njoftuar se ky shqyrtim ka mbaruar dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 5 prill 2016, në ora 15:00.

Organi i akuzës, të pandehurit Salal Ahmetxhekaj, pronar i Kolegjit Universitar “Fama” dhe Raif Halili, përfaqësues i Kolegjin Universitar “Fama”, i akuzon se gjatë muajit prill-maj 2008, në bashkëveprim si persona zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin dhe me qëllim të shkaktimit të dëmit personit tjetër, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, në atë mënyrë që me rastin e shitblerjes së një paluajtshmërie në mes tyre dhe Lulzim Kabashit si pronar, shumën e të hollave prej 215.000,00 euro, nuk ia kanë paguar atij, por këto mjete i kanë derdhur në xhirollogarinë e të pandehurit Xhavit Shabani si ndërmjetësues në këtë shitblerje edhe pse i njëjti nuk kanë pasur autorizim nga shitësi Lulzim Kabashit, për bartje të mjeteve.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë