PËRFUNDON GJYKIMI NDAJ KOMUNARËVE TË GJAKOVËS PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE DHE RYSHFET

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të enjten, ka mbaruar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Hanifa Lajiq, Haxhi Istrefaj, Lavdrim Zhubaj, Pleurat Gashi, Muhamet Gashi, Luljeta Cena dhe Teuta Blakaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ryshfet.

Në këtë seancë, janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë dhe me këtë rast, prokurori i çështjes Agron Matjani, në fjalën e tij, ka hequr dorë nga akuza për të pandehurit Pleurat Gashi, Muhamet Gashi, Luljeta Cena dhe Teuta Blakaj me arsye se nuk është arritur të provohet akuza me të cilën ngarkohen. Ndërsa sa i përket të akuzuarve tjerë ka deklaruar se mbetet pranë aktakuzës dhe se nga seancat e mbajtura, me provat e administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar para trupit gjykues, me padyshim është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në diapozitiv të aktakuzës, andaj ka kërkuar që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarës Hanifa Lajiq, avokati Osman Cucoviq, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, me administrimin e provave materiale, nuk është vërtetuar fajësia dhe përgjegjësia penale e të mbrojturës së tij, sipas tij, në këtë rast penal nuk janë bërë hetime dhe ka thënë se është gabim që është bërë konfirmimi i kësaj aktakuze ashtu siç është. Më tej ka thënë se krejt aktakuza bazohet në dy deklarata të mbrojtëses së tij, të dhëna në prokurori,  të cilat janë të papranueshme dhe joligjore, të përdoren si bazë për akuzë, ndërsa me provat tjera të administruara nuk vërtetohet fajësia, andaj ka kërkuar që e mbrojtura e tij të shpallet e pafajshme për akuzën me të cilën ngarkohet.

Mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Istrefaj, avokati Jashar Lokaj, në fjalën përfundimtare ka thënë se aktakuza ndaj të mbrojturit të tij është ngritur kundërligjshëm sepse bazohet vetëm në disa informacione të mbledhura nga policia dhe nga deklaratat e disa dëshmitarëve dhe të pandehurve që i kanë dhënë në mënyrë jo të rregullt në polici. Më tej ka shtuar se megjithatë në shqyrtimin gjyqësor në asnjë mënyrë nuk është provuar fajësia apo përgjegjësia penale e të mbrojturit të tij, andaj ka kërkuar që trupi gjykues të marrë aktgjykim lirues.

I akuzuari Lavdrim Zhubaj, në fjalën përfundimtare ka thënë se është e vërtetë se i ka marrë disa certifikata të lindjes, të cilat kanë qenë ‘blanko’, por të njëjtat i ka kthyer sërish, ndërsa të akuzuarin Haxhi Istrefaj nuk e ka njohur më parë dhe se po akuzohet pa bazë, andaj i ka kërkuar që në mungesë të provave, të lirohet nga akuza.

Kryetari i trupi gjykues, Shaqir Zika, ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 18 prill 2016, në ora 15:00.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë