Përfundon gjykimi ndaj KEDS-it që akuzohet se nuk ndërroi kabllon elektrike nga e cila morri zjarr shtalla e të dëmtuarit

20210113_132846 (1)
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Janar 13, 2021

Kamenicë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ka përfunduar gjykimi ndaj kompanisë KEDS, Distrikti në Gjilan, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Në këtë rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, po akuzohet edhe koordinatori për lidhje të reja në KEDS, Distrikti në Gjilan, Xhavit Kërqeli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Bahtie Ademi, në fjalën e saj përfundimtare, ka deklaruar se pas shtjellimit të provave si dhe dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, duke i kërkuar gjykatës që ata të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

“Prokuroria kërkon që kompaninë KEDS si person juridik dhe Xhavit Kërqelin t’i shpallë fajtor dhe t’i dënojë sipas ligjit”, ka thënë prokurorja Ademi.

Mbrojtësi i të dëmtuarit Januz Basha, avokati Refik Basha ka thënë se përkrahë fjalën e prokurorisë së shtetit dhe se i mbrojturi i tij i bashkangjitet ndjekjes penale dhe kërkon kompensim materialo-juridik.

Ndërsa, përfaqësuesi i KEDS, Distrikti në Gjilan, Driton Rexhepi në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se pas shtjellimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve, në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se KEDS si person juridik ka kryer këtë vepër penale me të cilën ngarkohet.

Ai ka kërkuar që kompaninë të cilën e përfaqëson gjykata t’a lirojë nga akuza në mungesë të provave.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Xhavit Kërqeli ka thënë se “deklaron me përgjegjësi të lartë morale, intelektuale dhe profesonale se kërkesa për ndërrimin  e përquesve dhe kabllove elektrike nuk është përgjegjësi e tij”, duke kërkuar nga gjykata që atë t’a lirojë nga përgjegjësia penale.

Gjykatësi Sadri Krasniqi ka njoftuar palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 15 janar 2021, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 30 gusht 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarve, kompania KEDS, Distrikti në Gjilan dhe Xhavit Kërqeli, duke i ngarkuar me veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, KEDS, Distrikti në Gjilan, më 12 maj 2017, rreth orës 03:30, në Hodonovc të Kamenicës, si person juridik përgjegjës, me mosveprim, shkakton dëm të konsiderueshn pasuror në dëm të dëmtuarit Januz Basha.

Sipas aktakuzës, kompania KEDS, Distrikti në Gjilan, nuk vepron edhe pse ka qenë e obliguar ta bëj një gjë të tillë dhe nuk e ka ndërruar kabllon elektrike, e cila kalonte nëpër shtallë, deri në shtëpinë e të dëmtuarit, edhe pse ka qenë kërkesë e tij, ashtu që nga kjo kabllo e rrymës elektrike që nuk është ndërruar, është shkaktuar zjarr, duke u djegur shtalla dy katëshe, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm në vlerë rreth 6000 euro.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Xhavit Kërqeli, me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë të saj, me mosveprim shkakton dëm të konsiderueshëm pasuror në dëm të dëmtuarit Januz Basha.

Bazuar në aktin akuzues, i akuzuari si koordinator për lidhje të reja në Distriktin KEDS në Gjilan, nuk e ka ndërruar kabllon elektrike, e cila kabllo kalonte nëpër shtallë, deri në shtëpinë e të dëmtuarit, e që ka qenë kërkesë e të dëmtuarit, ashtu që nga kjo kabllo e rrymës elektrike që nuk është ndërruar, është shkaktuar zjarrë, duke u djegur shtalla dy katëshe, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerë rreth 6000 euro. /BetimipërDrejtësi