PËRFUNDON GJYKIMI NDAJ ISH DREJTORIT TË SPITALIT REGJIONAL TË PRIZRENIT, AKTGJYKIMI SHPALLET MË 12 PRILL

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, është mbajtur seanca e fundit, në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Myzafer Kalenderit, i cili akuzohet nga prokuroria se në kohën kur ishte Drejtor i Spitalit të Prizrenit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke punësuar dy punëtore në pozitën e mamisë, pa shpallur konkurs publik.

Në kwtw seancë janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë, andaj me këtë rast, prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi, në fjalën përfundimtare ka ri-kualifikuar veprën penale sipas kodit të ri penal, si kod më i favorshëm për të akuzuarin dhe më tej ka shtuar se i njëjti është emëruar si drejtor në bazë të ligjeve pozitive dhe ndër autorizimet dhe detyrat e punës ka pasur edhe nënshkrimin e kontratave për themelimin e punës dhe ndërprerjen e tyre në rast nevoje. Ligji i Punës, sipas saj, e obligon themelimin e punëve nëpër institucionet publike, me anë të konkursit publik dhe një punësim pa konkurs është i paligjshëm dhe tejkalim i autorizimeve, poashtu ka folur rreth qëllimit penal nga i akuzuari, ku ka theksuar se ai, i ka dërguar një letër drejtorit të administratës nga i cili ka kërkuar që t’i lidhet kontratë pa afat njërës prej kandidateve në aktakuzë, andaj ka kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Myrvete Qollaku, në fjalën përfundimtare ka thënë se nuk e sheh kodin e ri penal si më të favorshëm për të mbrojturin e saj, më tej ka deklaruar se është e vërtetë se dy kandidatet e përmendura në aktakuzë janë pranuar në punë por janë pranuar sipas ligjit për shërbyes civil, dhe nuk ka shkelje ligji, ndërsa sa i përket letrës së dërguar shefit të administratës ka thënë se në letër shkruan që të lidhet kontrata sipas ligjit, andaj sipas saj, i mbrojturi i saj nuk ka kërkuar të punësohet kandidatja në mënyrë të paligjshme, poashtu ka theksuar se i mbrojturi i saj është ekonomist dhe kontratat për punësim vetëm i ka nënshkruar, pasi që ato janë përpiluar nga shefi i administratës që ka qenë jurist dhe kandidatet janë propozuar nga komisioni përzgjedhës, andaj ka kërkuar që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza sepse e njëjta nuk është vërtetuar.

I akuzuari Myzafer Kalenderi, në fjalën përfundimtare, ndër të tjera ka thënë se nga seancat e mbajtura dhe dëshmitarëve të dëgjuar e në veçanti shefin e administratës, është vërejtur se deklarata e dhënë në prokurori nga ana e tij, ka qenë e mangët, sepse për punësim të kandidateve ka pasur disa etapa, më tej ka theksuar se ai ka punuar për 29 vjet me ndershmëri dhe se në të gjitha veprimet është konsultuar me njësitë juridike që ka pasur në institucione.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajsere Skenderi, e ka shpallur të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor dhe shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar për 12 prill 2016 në ora 15:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 27 prill 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, Myzafer Kalenderi,  me arsyetimin se i njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, nuk ka vepruar konform ligjeve në fuqi, me çka i ka mundësuar personit tjetër, përfitim të paligjshëm, në atë mënyrë që ka punësuar dy punëtore në pozitën e mamisë, pranë Spitalit të Prizrenit, fillimisht me kontratë mbi vepër, si zëvendësuese të dy punëtoreve tjera që kishin shkuar në pushim të lehonisë, ndërsa edhe pas kthimit të tyre në punë, punëtoret e reja kanë vazhduar të punojnë dhe për më tepër u është lidhur kontratë me kohë të pacaktuar, pa konkurs publik.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë