Përfundon gjykimi ku paditësja po kërkon mbi një mijë euro kompensim për shujta ditore nga Komuna e Prishtinës

Pallati (9)
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Korrik 21, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësja Fitore Meçani po kërkon nga Komuna e Prishtinës, konkretisht Drejtoria për Arsim kompensimin për shujta ditore në vlerë prej 1 mijë e 60 euro.

Këtë kërkesë e ka kundërshtuar e paditura edhe në përgjigje në padi, me arsyetimin se nuk janë ndarë mjetet buxhetore për realizimin e këtyre kërkesave nga institucionet përgjegjëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance, i autorizuari i paditëses, avokati Kastriot Feka fillimisht ka bërë precizimin e padisë në aspektin objektiv, i cili precizim është lejuar nga gjykatësja Valentina Sopjani.

Tutje, ai në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata padia e precizuar të aprovohet në tërësi si e bazuar pasi që e njëjta sipas tij, është e bazuar si nga ana juridike e po ashtu edhe për nga lartësia.

Avokati Feka ka kërkuar që paditëses t’i kompensohet shuma prej 1,060.00 euro për 530 ditë pune, të vërtetuar sipas tij edhe me vërtetimet e lëshuara nga “Shkolla e Gjelbër” Prishtinë.

Ndërsa, i njëjti ka tërhequr pikën tre të kërkesëpadisë lidhur me ekzekutimin e shujtave ditore përmes sistemit të pagave.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës, Fitore Byqmeti ka deklaruar se mbesim në tërësi si në përgjigje në padi.

Sipas saj kompensimet e tilla nuk parashihen me Ligjin e Punës dhe e paditura në skemës e saj buxhetore nuk ka paraparë linjë të posaçme buxhetore për këto lloje kompensime.

Andaj, i propozoi gjykatës që kërkesëpadinë e paditëses ta refuzojë në tërësi si të pabazuar.

Në këto rrethana, gjykatësja Sopjani konstatoi se ka përfunduar shqyrtimi në këtë çështje juridike.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 11 gusht 2020, paditësja Fitore Meçani e ka paditur Komunën e Prishtinës, konkretisht Drejtorinë për Arsim për pagesën e shujtave ditore.

Në padi thuhet se, paditësja ka mbi 7 vite përvojë të punës si mësimdhënëse në shkollën fillore “Shkolla e Gjelbër” në Prishtinë dhe se e paditura nuk i ka paguar shujtën ditore për ushqim që nga hyrja në fuqi e Kontratës Kolektive të Arsimit.

Paditësja, padinë e ka bazuar në nenin 35, paragrafi 7 të kësaj kontrate, duke kërkuar për 436 ditë pune, shumën prej 872.00 euro, me kamatë ligjore prej 8% dhe që pagesa e shujtave të ekzekutohet përmes sistemit të pagave për muajt në vijim, deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore, si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, me precizimin e bërë në këtë seance, përveç për ditët e kërkuara në padi, paditësja ka kërkuar edhe shujtën ditore për 94 ditë të tjera për periudhën e viteve 2020-2021, duke kërkuar kështu shumën prej 1,060.00 euro për 530 ditë pune./BetimipërDrejtësi