Përfundon gjykimi ku paditësja po kërkon mbi një mijë euro kompensim për shujta ditore nga Komuna e Vitisë

Raporton:Genta PAJAZITI

Viti- Ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësja Fitore Alidema po kërkon nga Komuna e Vitisë, konkretisht Drejtoria për Arsim kompensimin për shujta ditore në vlerë prej 1,348 euro.

Këtë kërkesë e ka kundërshtuar e paditura edhe në përgjigje në padi, me arsyetimin se nuk janë ndarë mjetet buxhetore për realizimin e këtyre kërkesave nga institucionet përgjegjëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance, e autorizuara e paditëses, avokatja Malësore Halili,  ka mbetë pranë padisë dhe precizimit e dorëzuar sot në gjykatë, me të cilën ka kërkuar që të detyrohet e paditura Komuna  e Vitisë-DKA, që të kompensoj paditësen në emër të shpenzimeve për ushqim për 674 ditë pune, nga dy euro, dhe atë në shumë të përgjithshmë prej 1,348 euro.

Tutje, ai në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata padia e precizuar të aprovohet në tërësi si e bazuar pasi që e njëjta sipas tij, është e bazuar si nga ana juridike e po ashtu edhe për nga lartësia.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani e ka kundërshtuar kërkesën e paditëses për kompensim të shpenzimeve për shujta ditore me arsyetimin se kjo padi nuk ka bazë ligjore dhe se Komuna e Vitisë nuk është përgjegjëse për kompensime të tilla.

Po ashtu, ai shtoi se e paditura në skemën e saj buxhetore nuk ka paraparë linjë të posaçme buxhetore, andaj i propozoi gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë në tërësi si të pabazuar.

Ndryshe, në seancën e së premtes, gjykatësi Raif Fazliu ka lejuar ndryshimin e padisë sikurse me parashtresën e dorëzuar me shkrim. Gjykatësi Fazliu ka bërë edhe administrimi i provave dhe ka konstatuar se shqyrtimi për këtë çështje juridike ka përfunduar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 13 janar 2020, paditësja Fitore Alidema e ka paditur Komunën e Vitisë, konkretisht Drejtorinë për Arsim për pagesën e shujtave ditore.

Në padi thuhet se, paditësja ka mbi 5 vite përvojë të punës si mësimdhënëse në SH.F.M.U “Halim Alidema” në fshatin Pozheran të Vitisë, dhe se e paditura nuk i ka paguar shujtën ditore për ushqim që nga hyrja në fuqi e Kontratës Kolektive të Arsimit.

Paditësja, padinë e ka bazuar në nenin 35, paragrafi 7 të kësaj kontrate, duke kërkuar për 674 ditë pune, shumën prej 1,348 euro, me kamatë ligjore prej 8% dhe që pagesa e shujtave të ekzekutohet përmes sistemit të pagave për muajt në vijim, derisa të ekzistojnë kushtet ligjore, si dhe shpenzimet e procedurës./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë