Përfundon gjykimi ku mësimdhënësi po kërkon mbi 1 mijë e 500 euro për shujtat ditore dhe shpërblimin jubilar

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku mësimdhënësi i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët (ShFMU), “Skënderbeu”, në fshatin Hogosht të Kamenicës, A.R., po kërkon nga Komuna e Kamenicës kompensimin e shujtave ditore në shumën prej 1 mijë e 110 euro si dhe 421 euro tjera për shpërblimin jubilar.

Me pretendimin se ky kompensim i takon, në mars të 2020-ës, paditësi R. e ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, janë thënë fjalët hyrëse dhe përfundimtare të palëve ndërgjyqëse lidhur me këtë rast.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Selmon Sadiku, ka thënë se mbesin në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, por që ai ka thënë se bëjnë precizimin e padisë në aspektin objektiv, ashtu që tani e tutje shuma e kërkuar në kërkesëpadi nga 1 mijë e 473 euro e 57 centë, është 1 mijë e 531 euro.

“Mbesim në tërësi pranë padisë e posaqërisht pranë precizimit të padisë në aspektin objektiv në të cilën kemi kërkuar që për 555 ditë pune që përfshin periudhën kohore 18.04.2017 – 18.4.2020, e cila kap shumën 1 mijë e 110 euro. Si dhe në emër të shpërblimit jubilar për mbi 30 vite përvojë pune, në shumë prej 421 euro”, ka thënë avokati Sadiku.

Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i të paditurës, Alban Hashani ka thënë se ata si palë e paditur mbeten në tërësi pranë përgjigjes në padi duke e konsideruar kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar.

“Ne si palë në këtë çështje kontestimore nuk jemi palë nënshkruese e Kontratës Kolektive dhe nuk kemi marrë asnjë obligim i cili del nga kjo kontratë”, deklaroi përfaqësuesi Hashani.

Pas kësaj, gjykatësja Nada Stanojeviq ka marrë aktvendim mbi administrimin e provave, ku është bërë edhe leximi i shkresave të lëndës.

Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare avokati Selmon Sadiku deklaroi se mbeten në tërësi pranë deklaratave të cekura më lartë dhe kërkoi nga gjykata ta aprovojë padinë e paditësit.

Përfaqësuesi i Komunës së Kamenicës, Alban Hashani në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që ta refuzojë në tërësi padinë si të pabazuar.

Gjykatësja Nada Stanojeviq njoftoi palët se vendimin e gjykatës në lidhje me rastin konkret do t’ua dërgojë brenda afatit ligjor.

Mësimdhënësi A.R., më 10 mars 2020, ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë, ndërsa më 9 nëntor 2021, ka bërë precizimin e padisë në aspektin objektiv me arsyetimin se ai është në marrëdhënie pune tek e paditura si mësimdhënës në ShFMU “Skënderbeu”, në fshatin Hogosht të Kamenicës.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’i paguajë shujtat ditore për vitet shkollore 2016/2017, 2017/2018, 2018/2019 dhe 2019/2020, në shumë prej 1 mijë e 110 euro, si dhe shpërblimin jubilar prej 421 euro, e që shuma e përgjithshme kap vlerën prej 1 mijë e 531 euro, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8% sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të padisë deri në pagesën definitive në afat prej 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, si dhe pagesën e shpenzimeve të procedurës kontenstimore. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë