Përfundon dëshminë e tij zyrtari i Agjencionit Kundër Korrupcion, Ekrem Demolli – Rasti MTPT-së

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Zyrtari i Agjencisë Kundër Korrupsion, Ekrem Demolli, ka përfunduar dëshminë e tij, në lidhje me rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit, i njohur si rasti “MTPT”.

Në këtë seancë ka vazhduar marrjen në pyetje të dëshmitarit mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Limaj, avokati Tahir Rrecaj. Në pyetjen e avokatit, se si kishte përfunduar lënda tek Prokuroria e EULEX-it, dëshmitari Demolli tha se në vitin 2012 Prokuroria e EULEX-it ka kërkuar nga AKK përgatitjen e lëndës. “Meqë unë kam qenë i ngarkuar me hetimet e kësaj lënde, kam qenë unë i ngarkuar ta përgatisë lëndën dhe ta dorëzoi në Prokurorinë e EULEX-it”, tha dëshmitari Demolli.

Në një pyetje tjetër të avokatit Rrecaj, nëse AKK i kishte përfunduar hetimet para se rasti të dorëzohej në Prokurorinë e EULEX-it, dëshmitari Demolli deklaroi se në atë kohë ende nuk kishin përfunduar hetimet nga AKK, por që pas kërkesës së EULEX-it e kishin përcjellë rastin.

Duke u përgjigjur në një pyetje të të akuzuarit Fatmir Limaj, sa herë kishte qenë dëshmitari së bashku me përfaqësuesit e EULEX-it gjatë marrjes në pyetje të paraqitësi i rastit, tani i ndjeri Mehmet Shkodra, dëshmitari tha se “nuk i kujtohet me saktësi, por që mban mend 2 ose 3 raste, ku prezenca e tij ka qenë vetëm fizike, pasi të gjitha pyetjet i kishte parashtruar përfaqësuesi i EULEX-it”.

Seanca e ardhshme për këtë rast u caktua për ditën e mërkure, më 12 tetor 2016, me fillim prej orës 10.00.

Ndryshe, ky shqyrtim gjyqësor ka filluar të zhvillohet nga fundi i shtatorit të vitit 2015. Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT).

Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpërtim Telaku dhe Florim Suka.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë