PËRFUNDON DEKLARIMI I PRONARIT TË “NIC HOLDING” PËR MASHTRIM

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Naser Kelmendi pronar i kompanisë “Nic Holding”, i akuzuar për veprën penale të “mashtrimit në detyrë” të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dhënë versionin e tij lidhur me atë se si kishte rrjedhë ngjarja për të cilën akuzohet. Prokurori është fokusuar me pyetje tek i akuzuar rreth çështjes së avansit të parave që kanë derivuar nga marrëveshja gojore mes kompanisë së tij “Nic Holding” dhe kompania malazeze “Rokshped”. Të dy kompanitë kishin lidhur marrëveshje gojore për biznes në fushën e derivateve të naftës dhe mazutit. Fillimisht ata kishin dashur transaksionet t’i bënin nëpërmjet bankës NLB në Podgoricë, megjithatë ajo i kishte refuzuar me arsyetimin se kanë strategji ekologjike andaj nuk pranojnë me kompani të tilla. I akuzuari Kelmendi tha se këtu kishte lindur ideja nga ana e Nue Stanaj që të bëjnë pro fatura për verë, të cilat fatura përfaqësuesit e “Rokshped” ia kishin dërguar kompanisë “Nic Holding”.

Ai theksoi se mosmarrëveshjet me këtë kompani kishin filluar kur pronarët e saj kishin kërkuar të dominonin me aksione dhe“Nic Holding” kishte refuzuar, andaj kishte rezultuar një kërkesë nga “Rokshped” për një kamata joligjore prej gjithsej 873.694 euro. Ai tha se dy kompanitë asnjëherë nuk e kishin biseduar çështjen e kamatave në momentin kur kishin arritur marrëveshje gojore. Kelmendi deklaroi se në mënyrë të vazhdueshme kishin kthyer mjetet në para të gatshme dhe përmes bankës në shumë prej 1.667.309,22 euro nga gjithsej 1.836.880 euro dhe se diferenca prej rreth 150.000 euro kishte mbetur pa u kthyer. Ai i dorëzoi gjykatës një dokument me të gjitha pagesat që kompania e tij i kishte bërë “Rokshpedit”. Në pyetjen e gjykatës pse i akuzuari nuk i kishte ballafaquar dëshmitarët – pronarët e kompanisë “Rokshped” me këtë dokument, Kelmendi u përgjigj se i kishte ik nga mendja, përkatësisht nga mospërvoja me gjykata ishte hutuar. ”S’ka qenë qëllimi im lajthitja e kompanisë bashkëpunuese ngase ne kemi pasur marrëdhënie të mira shoqërore dhe biznesore”, tha i akuzuari.

Fjala përfundimtare e palëve do të procedohet më 18 mars, ngase avokati mbrojtës tha se nuk është i gatshëm që të njejtën ta shpalos sot.

Ky proces gjyqësor zhvillohet, sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Kelmendiit, i cili akuzohet se në vitin 2007 kishte kryer veprën penale “mashtrimi në detyrë”, duke keqpërdorur pozitën zyrtare si drejtor i kompanisë “Nic Holding” me seli në Malishevë-Obiliq, me qëllim që t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm vetes. Këtë e kishte bërë, duke lajthitur Nue Stanaj pronar i kompanisë “Rokshped” me seli në Podgoricë. Sipas prokurorisë, Kelmendi i kishte premtuar Stanajt se do të eksportojë për nevojat e kompanisë së tij verë të kuqë, edhepse nuk kishte disponuar me atë artikull, duke lëshuar dy profatura, njëra në shumë prej 628.080 euro kurse tjetra prej 1.210.300 euro. Dërgesën e verës i akuzuari ishte dashur ta bëjë brenda 30 ditësh e këtë s’e kishte bërë kurse shumën prej gjithsej 1.836.380,00 euro pretendohet ta ketë përdorë për nevoja personale.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë