PËRFUNDON DËGJIMI I DËSHMITARËVE, NË RASTIN E POLICIT TË AKUZUAR PËR KEQPËRDORIM ME AKSIDENT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Dëshmitarja Sanie Vladi, dëshmoi në seancën e 4 majit, në rastin e policit të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Fadil Sejdiu. Vladi para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Ferizaj, tha se për aksidentin që kishte ndodhur në prill të vitit 2015 me veturën e saj, ishte marrë vesh me vozitësin për kompensim të dëmin në vlerën prej 200 eurove. Ajo sqaroi që veturën e saj atë ditë e ka vozitur djali i saj Qëndrim Januzi, dhe lidhur me dëmin shtoi se fillimisht nuk ishte dakorduar për kompensimin e 200 eurove për shkak se sipas saj dëmi i shkaktuar nuk ishte i vlerës së përmendur. Por, duke sqaruar më tej ngjarjen, ajo tregoj se në vendin ku kishte ndodhur aksidenti më pas ka ardhur policia dhe në atë rast janë marrë vesh që të kompensohet dëmi në vlerën e kërkuar nga pala tjetër, pra 200 euro.

Për këtë rast, si dëshmitar i propozuar nga prokuroria, kishte qenë edhe djali i Sanie Vladit, Qëndrim Januzi, mirëpo, Prokurori i Shtetit, Rasim Maloku hoqi dorë nga dëgjimi i tij. Kjo për shkak se sipas prokurorit nuk është kontestues fakti se aksidenti ka ndodhur më datë 5 prill 2015. Gjithashtu prokurori Maloku deklaroi se tërhiqet edhe nga propozimi për leximin e deklaratës së të pandehurit Gani Ibrahimi, meqë i njejti e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën është akuzuar, e që ka qenë i bashkëakuzuar me tani të pandehurin Fadil Sejdiu.

Poashtu, në këtë seancë, i akuzuari Fadil Sejdiu, edhe një herë deklaroi para trupit gjykues se ndihet i pafajshëm për veprën penale që e ngarkon prokuroria.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Fadil Sejdiu me datë 6 prill 2015, në pozitën e policit patrollues në Stacionin Policor në Ferizaj, deri sa ishte në orarin e punës, është njoftuar nga qytetari – i pandehuri Gani Ibrahimi (tani i dënuar), për një dëmtim të veturës së tij në oborrin e shkollës “Faik Konica”. Në këtë rast Sejdiu kishte iniciuar rastin e kundërvajtjes kinse vetura e markës “Mercedes” është goditur nga një veturë e paidentifikuar duke i shkaktuar dëm material, edhe pse e ka ditur se vetura e njejtë ishte aksidentuar me datë 5 prill 2015, me veturën e markës “Opel Anatara”, të drejtuar Qëndrim Januzi.  Për këtë aksident pjesëmarrësit në aksident kishin arritur marrëveshjen për kompesimin e dëmit në vlerë prej 200 euro, ku ishte prezent edhe i pandehuri Fadil Sejdiu. Me këtë veprim i ka mundësuar Gani Ibrahimit që të përfitoj në mënyrë të kundërligjshme nga kompania e sigurimit “Sigma” shumën prej 217 eurove. Me këtë veprim, sipas prokurorisë, Fadil Sejdiu ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës ose i autoritetit zyrtar”.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë