Përfundon çështja në rastin e 17 paditësve që pretendojnë se pronari i NSH “Victory” i largoi nga puna pa asnjë sqarim

Pallati (2)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 12, 2018

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të enjten, ka përfunduar çështja civile në rastin ku 17 paditës kërkojnë nga pronari i NSH “Victory”, Blerim Vitija, shumën prej 112.400 euro, me pretendimet se pa kurrfarë sqarimi ishin larguar nga puna.

Përfaqësuesi i paditësve, avokati Ilir Rama, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj.

Ai tha se paditësit kishin qenë të punësuar në “Victory”, ndërsa më 1 shtator 2014, ishin larguar nga puna me urdhër verbal dhe sipas tij, pa bazë ligjore.

Sipas Ramës, pasi e paditura NSH “Victory”, ua kishte ndërprerë marrëdhënien e punës dhe kontratat e punës, pa kurrfarë sqarimi, paditësit kishin parashtruar ankesë dhe e kishin dorëzuar në lokalet e të paditurës, por sipas tij, paditësit asnjëherë nuk kishin marrë ndonjë përgjigje nga e paditura.

Ai tha se pas kësaj, paditësit ishin detyruar që të parashtronin ankesë pranë Inspektoratit të Punës dhe se ky organ kishte konstatuar se kishte pasur shkelje nga punëdhënësi.

“Objekt i padisë është kompensimi i pagave të papaguara për periudhën kontestuese. NSH “Victory”, nuk ua ka paguar pagat dhe beneficionet tjera që u takojnë me ligj, përkatësisht të parapara në dispozitën e nenit 38, 55, 58,  të ligjit të punës”, tha Rama.

Ai shtoi se 17 paditësit kërkojnë nga gjykata që të detyrohet e paditura që t’ua paguajë atyre shumën sipas padisë, së bashku me normën e kamatës, në lartësi prej 8% që nga 1 shtatori 2014, e deri në pagesën definitive, siç ishte përcaktuar edhe nga ekspertiza financiare.

Ndërkaq, përfaqësuesi i NSH “Victory”, avokati Armend Krasniqi e kundërshtoi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve si për nga baza, ashtu  edhe për nga lartësia.

Ai kërkoi nga gjykata që ta refuzojë këtë padi, pasi sipas tij, me asnjë provë nuk ishte provuar se e paditura ua kishte ndërprerë marrëdhënien e punës paditësve.

Ai tha se paditësit në mënyre demonstrative e kishin lëshuar punën dhe atë pa asnjë paralajmërim, duke e shantazhuar dhe kërcënuar të paditurën.

Ndërsa, për shkak se avokatët Rama dhe Krasniqi nuk e kishin përgatitur fjalën përfundimtare, gjyqtarja Saranda Bogaj- Sheremeti, iu dha 7 ditë afat që t’ia dorëzojnë gjykatës fjalën përfundimtare në formë të shkruar.

Sipas padisë, Sadri Gashi, Naser Metolli, Qamil Maqedonci, Qamil Morina, Fehmi Ismajli, Ahmet Kokolli, Afrim Qyqalla, Ardian Gashi, Florim Shala, Driton Rexha, Granit Mehmeti, Fatlum Jashari, Qamil Bllaca, Valon Arifi, Arsim Zejnullahu, Nuhi Ejupi dhe Ismet Metolli, më 31 gusht 2014 ishin larguar nga puna.

Ky largim, siç thuhet në padi, ishte bërë me urdhër verbal të pronarit të NSH “Victory”, Blerim Vitija, i cili në mënyrë të njëanshme iu kishte ndërprerë marrëdhënien e punës pa kurrfarë sqarimi.

17 ish-punëtorët me padi kanë iniciuar procedurë kontestimore, që gjykata t’iu ofrojë mbrojtje për shkak të shkeljes, cenimit apo mohimit të të drejtave të tyre.

Me anë të padisë, ata kërkojnë që të vërtetohet ekzistimi apo mosekzistimi i të drejtës së caktuar, ose të vërtetohet e vërteta e ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Gjithashtu, kërkojnë që e paditura t’i kthejë në punë, t’ua kompensojë pagat e papaguara, pushimet vjetore, pagesat për autolarje, trustin pensional, si dhe beneficionet tjera të parapara me ligj.

Në padi thuhet se sipas Inspektoratit të Punës, e paditura NSh “Victory”, kishte bërë shkelje të dispozitës së nenit 95 të Ligjit të Punës, ngase nuk kishte nxjerrë vendim për ndërprerjen e punës dhe kontratave të punës. Gjithnjë sipas padisë, në kundërshtim me dispozitat e nenit 70.1, paditësve ua kishte ndërprerë marrëdhënien e punës.

Sipas padisë, punëdhënësi kishte bërë shkelje edhe të dispozitave të nenit 10 dhe 11 të Ligjit të Punës, ngase nuk i kishte lidhur kontratat e punës në kuptim të këtyre dispozitave. Po ashtu, aty thuhet se kishte bërë edhe shkelje të dispozitës së nenit 32.1 të Ligjit të Punës, duke mos iu lejuar paditësve as pushimin vjetor me pagesë.