Përfundon çështja civile në rastin ku i paditësi kërkon kompensimin e një page jubilare nga ndërmarrja Trepça

tr
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Shkurt 23, 2021

Mitrovicë – Ka përfunduar çështja civile në rastin ku paditësi Ferki Tupella, po kërkon nga e paditura Trepça Sh.A, kompensimin e një page jubilare për më shume se 10 vite përvojë pune në Trepça Sh.A.

Fillimisht në seancën e së martës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Valon Mehmeti ka bërë precizimin e kërkesëpadisë “ashtu që në vend të lartësisë së pagës së kërkuar në kërkesëpadi prej 552.26 euro, tani bëjë precizimin dhe kërkoj vetëm pagimin e një page në emër të shpërblimit jubilar në lartësi prej 452.26 euro, për provojnë e tij mbi 10 vjeçare pa ndërprerë të e paditura, e gjithë kjo duke u bazuar në mesataren e tri pagave të fundit e të cilat vërtetohen edhe përmes listës së pagave, heq dore në tërësi nga llogaritja e kamatës prej 8%”.

Ndërsa në fjalën përfundimtare ai tha se mbetet në tërësi pranë pretendimeve të lartcekura, “i propozoj gjykatës që padinë dhe kërkesëpadinë ta aprovoj si të bazuar, ndërsa shpenzimet e procedurës kontestimore i kërkojë dhe atë për përpilim të padisë 78 euro, për përfaqësimin e seancës së sotme 101 euro, dhe në emër të taksës për padi 20 euro”.

E në anën tjetër, përfaqësuesi i Trepça Sh.A, Fuad Haliti, ka deklaruar se “e pranoj kërkesëpadinë e precizuar me lartë nga autorizimi i paditësit, pasi që konsiderohet së është në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme me Marrëveshjen Kolektive, nuk e konstatoj lartësinë e pagës se paditësit të cekur më lart prej 452.26 dhe nuk e kontestoj provojnë e punës mbi 10 vjeçare të paditësit te e paditura”.

Kurse në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë deklarimeve në seancën e sotme.

Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare të palëve ndërgjyqëse gjykatësi Skender Shala, njoftoi se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje kontestimore ka përfunduar dhe se palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtrua më 21 dhjetor 2020, paditësi Ferki Tupella po kërkon nga Trepça Sh.A, shpërblimin e një  pagave jubilare për më shume se 10 vite përvojë pune.

Në padi thuhet se,  paditësi kishte qenë në marrëdhënie pune në Ndërmarrjen Trepça që nga viti 20 shtator 1978 deri më 12 tetor 1990, më pas paditësi kishte filluar punën në Ndërmarrjen Trepça nga 1 qershori 2001, ku dhe kishte punuar deri në pensionim.

Sipas padis, i njëjti duke marr parasysh të gjitha faktet e lartcekura si dhe dispozitat e nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, më 2 tetor 2020, i’ u kishte drejtuar të paditurës më kërkesën lidhur me kompensimin e pagave jubilare, por e paditura nuk i’ u kishte përgjigjur.

Andaj me anë të kësaj padie obligohet e paditura Ndërmarrja Trepça SH.A, që paditësit të lartcekur t’ ia paguajë një page mujore në emër të shpërblimit jubilar, në vlerën prej 552,26 euro, për vitet e punës, të gjitha këto me kamat ligjore prej 8%. /BetimipërDrejtësi