Përfundon administrimi i provave materiale në gjykimin e policëve të Leposaviqit  të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Këtë të mërkurë ka përfunduar administrimi i provave materiale,  në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin që po zhvillohet ndaj të akuzuarve Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskovi,  të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion.

Vasoviq–Baraq, Dimitrijeviq dhe Uskoviq po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje ryshfeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e kaluar ishte ndërprerë me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Dimitrijeviq, avokatit Millosh Deleviq, pasi i njëjti kishte deklaruar se në audio incizimet e dorëzuara nga prokuroria nuk përputhej transkriptimi me incizimin.

Ai në atë seancë kishte kërkuar që të dëgjohen audio-incizimet e datave 18,19,23 dhe 27 prill 2019, por që një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur për shkak të  problemeve teknike.

Andaj, gjykatësja Shabani-Rama e kishte obliguar prokurorin Burim Qerkini që për seancën e sotme të sjell edhe një ndihmës për t’i ndihmuar teknikisht në lëshimin e këtyre incizimeve.

Pasi në këtë seancë prokurori Qerkini ka sjell një ndihmës të tij, seanca ka vazhduar me dëgjimin e audio-incizimeve të kërkuara nga avokati Deleviq.

Fillimisht është dëgjuar audio-incizimi i datës 18 prill 2019, ku në këtë audio-incizim sipas prokurorisë dëgjohet zëri i të akuzuarit Dimitrijeviq.

Lidhur me këtë audio-incizim vërejtje ka paraqitur, avokati Deleviq sipas të cilit prokuroria duhet të lëshoi incizime ku pretendon se inkriminohet i mbrojturi tij, pasi sipas tij ato çka u dëgjuan në audio-incizim janë biseda të përgjithshme.

Prokurori Qerkini, ka thënë se bisedat e dëgjuara në audio-incizim nuk janë biseda të zakonshme sepse brenda tyre sipas tij, ka veprime inkriminuese të cilat janë vërtetuar edhe nga thëniet e dëshmitarëve dhe me prova tjera.

Tutje, sipas tij nuk është kontestuese se në këto biseda është duke biseduar i akuzuari Dimitrijeviq pasi siç tha ai kjo mund të vërtetohet nga mënyra e të folurit, ngjyra e zërit, dhe stili i të folurit.

“Ne mendojmë se nuk është kontestuese se ka fol i pandehuri Veroljub dhe se kjo mund të vërtetohet nga mënyra e të folurit, ngjyra e zërit, dhe stili i të folurit dhe unë mbes në tërësi pranë të gjitha transkripteve”, tha prokurori Qerkini.

Pas dëgjimit të audio-incizimit të 18 prillit, avokati Deleviq ka kërkuar të dëgjohet edhe incizimi i datës 27 prill.

Lidhur me këtë propozim, prokurori Qerkini ka deklaruar se nuk ekziston ndonjë incizim i datës 27 prill, ai ka thënë se kjo datë nuk është transkript dhe se e njëjta nuk ka të bëjë me ndonjë transkript por që është nxjerrë si formulim nga mbrojtja e të akuzuarit Dimitrijeviq.

Tutje, seanca ka vazhduar me plotësimin e procedurës së provave nga mbrojtësit e të akuzuarve, ku avokatët Predrag Mirkoviq dhe Millosh Delaviq kanë propozuar disa prova të reja.

Disa prej këtyre provave janë aprovuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shabani-Rama ndërsa një pjesë e tyre janë refuzuar.

Seanca e sotme është ndërprerë, ndërsa seancat e radhës janë caktuar me 2 dhe 3 shkurt 2022, ku pritet të jepet mbrojta e të akuzuarve.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, por pas dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues, për ta ishte veçuar procedura penale dhe me 15 mars 2021, të njëjtit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me 1,000 euro gjobë për kontrabandim me migrantë, ndërsa ishin liruar për veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020 nga PSRK-ja Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, dhe duke bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Sipas PSRK-së, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, ata kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

Izet Uskoviq akuzohet nga prokuroria se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Në aktakuzë thuhet se Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë