Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë kërkon ndjekje penale dhe dëmshpërblim ndaj Avokatit Publik të Komunës së Kaçanikut të akuzuar për shpërdorim të detyrës      

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në seancën gjyqësore të mbajtur ndaj të pandehurit Muharrem Leka i akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”, në cilësinë e dëshmitares u dëgjua përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Nexhmije Karaqi.

Lidhur me objektin e çështjes, Karaqi dha një deklaratë të shkurtër, ku në pyetjet e prokurorit të çështjes deklaroi se rruga i takon Komunës së Kaçanikut por tha se palë përgjegjëse dhe pronare ka qenë Drejtoria e Rrugëve ndërsa tash është Ministria e Infrastrukturës. Tutje, ajo deklaroi se detyrat e Ministrisë – të Departamentit të Rrugëve si dhe kompetencat janë të ndara sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale në kuadër të Kuvendit lokal dhe ligjit mbi rrugët. Sa i  përket asaj se a ka qenë e ftuar përfaqësuesja ministrisë në këtë lëndë si palë, Karaqi gjithmonë duke iu referuar dispozitave ligjore, tha se në rastet e procedurave gjyqësore kur autoriteti përkatës publik nuk është qeveria, atëherë Ministria e Drejtësisë e ka të drejtën të marrë pjesë në procedurat përkatëse si avokat publik, për të mbrojtur interesat shtetërore. Në fund deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit si dhe parashtroi kërkesën pasurore-juridike për kompensimin e dëmit të shkaktuar Ministrisë së Drejtësisë.

I pandehuri Muharrem Leka nuk parashtroi asnjë pyetje përfaqësueses.

Në këtë çështje penale, në cilësinë e dëshmitares ishte e ftuar edhe përfaqësuesja e Komunës së Kaçanikut, për të sqaruar nëse është e dëmtuar edhe Komuna e Kaçanikut, por ajo nuk ishte prezentë në seancë, gjë për të cilën kishte njoftuar trupin gjykues. E njëjta kishte munguar edhe në seancën e kaluar të mbajtur më 22 shtator 2016.

Seanca e radhës, u caktua për 29 shtator 2016, ku të dëgjohet përfaqësuesja e Komunës së Kaçanikut dhe poashtu u konstatua se po në këtë ditë do të ftohet edhe eksperti i paluajtshmërisë.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Muharrem Leka për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit”. Leka akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar – avokat publik i Komunës së Kaçanikut, me qëllim që vetes dhe paditësve t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Kaçanikut, ka shpërdor pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat. Këtë vepër penale Prokuroria pretendon se e ka kryer në atë mënyrë që pas pranimit të aktgjykimit, nuk kishte ushtruar ankesë, duke lejuar që i njëjti të bëhet i plotëfuqishëm. Sipas Prokurorisë, pas pranimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.41/2006 të datës 12 dhjetor 2007, me të cilin ishte aprovuar kërkesë padia e Mendu, Enver dhe Habib Bushit, për të vërtetuar se ata ishin bashkëpronar me 1/3 të pjesës ideale të paluajtshmërisë me sipërfaqe prej 0.20.40 ha, Leka nuk kishte ushtruar ankesë dhe aktgjykimi ishte bërë i plotëfuqishëm, duke detyruar të paditurin MTPT – Drejtoria e Rrugëve të Kosovës, në Prishtinë dhe Komunën e Kaçanikut të pranojnë të drejtën e pronësisë së paditësve, duke shkaktuar dëme në shumën mbi 5000 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë