Përfaqësuesja e BKS në fjalën përfundimtare kërkon shumën e rimbursimit për më tepër se 2 mijë euro

Raporton: Alban MEHMETAJ

Istog – Përfaqësuesja e paditëses Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS),  Besiana Duraku edhe në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga i padituri Aldaid Haziraj, rimbursimin e dëmit në vlerë prej 2 mijë e 108 euro.

Këtë rimbursim BKS-ja, po e kërkon nga i padituri Haziraj me pretendimin që ky i fundit, në korrik të 2016-tës, nga pakujdesia ka shkaktuar aksident trafiku në dëm të dëmtuarve Marjan Coli dhe Nexhmedin Ibrahimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesja e paditëses, Besiana Duraku në fjalën e saj përfundimtare ka deklaruar se i padituri në momentin e aksidentit nuk ka pas policë të sigurimit, dhe se i njëjti ka qenë duke e drejtuar mjetin motorik pa patentë shofer.

“Për aksidentin e precizuar si në padi, i padituri edhe është shpallë fajtorë edhe nga Gjykata Themelore në Pejë, dega Istog.”, ka thënë Duraku.

Andaj nën këto rrethana, përfaqësuesja Duraku  ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen në tërësi si të bazuara, dhe siç tha ajo i padituri të obligohet të paguajë shumën dhe kamatën të precizuara si në padi.

Ndërkaq, gjykatësi Shemsedin Haxhijaj ka bërë të ditur se i padituri mungon, dhe se i njëjti ka refuzuar pranimin e ftesës dhe shkresave të lëndës pa dhënë ndonjë arsye të ligjshme.

Sipas padisë së ushtruar me 28 shkurt 2019, BKS po kërkon nga gjykata që të detyrohet i padituri Aldaid Haziraj, që asaj t’ia rimbursojë dëmin prej 2 mijë e 108 euro.

BKS-ja këtë rimbursim dëmi po e kërkon për shkak të aksidentit të trafikut të shkaktuar me 28 korrik 2016, rreth orës 09:30 në Klinë, ku i njëjti ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së të paditurit Aldaid Haziraj, e nga i cili kanë pësuar dëme të dëmtuarit Marjan Coli dhe Nexhmedin Ibrahimaj.

Në bazë të padisë, në ditën e aksidentit, i padituri ka pasur policë të skaduar të sigurimit, për çka BKS i ka kompensuar të dëmtuarit e lartcekur, e ku të njëjtën shumë tani BKS në emër të rimbursimit po e kërkon nga i paditurit Haziraj. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë