Përfaqësuesi i të dëmtuarit s’kishte autorizim, shtyhet gjykimi se e mashtroi dhe ia shiti tokën me dokumente të falsifikuara

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Për shkak se përfaqësuesi i të dëmtuarit Dimitrije Repac, avokati Xhelal Radoniqi, nuk kishte autorizim për këtë çështje penale ndaj të akuzuarit Afrim Jasiqi, dështoi seanca e paraparë për të martën.

Në këtë rast, i akuzuari Jasiqi ngarkohet se mashtroi dhe ia shiti tokën të dëmtuarit me dokumente të falsifikuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi të dëmtuarit Dimitrije Repac, avokati Xhelal Radoniqi, i propozoi gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për shkak se i pandehuri dhe mbrojtësi i tij kërkojnë që i njëjti të pajiset me autorizim të posaçëm nga i dëmtuari.

Propozimin e avokatit Radoniqi nuk e kundërshtoi prokurori Muhrrem Bajraktari, po ashtu u dakorduan edhe mbrojtësi i të pandehurit Isa Osdautaj me të mbrojturin e tij.

Gjyqtari i rastit Sejdi Blakaj, e aprovoi propozimin e avokatit Radoniqi, ndërsa seancën e radhës e caktoi më 28 dhjetor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, kishte ngritur aktakuzë me 6 dhjetor 2018, ndaj të pandehurit Afrim Jasiqi, që në prill të 2014-ës, në Pejë, e mashtroi dhe e vuri në lajthim personin tjetër duke e ditur se ka qenë edhe më parë i vënë në lajthim dhe i mashtruar nga ana e Dragan Crvenica nga Beogradi, prej të cilit në bazë të dokumenteve të falsifikuara ka blerë patundshmërinë P-00521-41, Brestovik-Pejë.

Sipas aktakuzës, patundshmëria e lartcekur është pasuri e të dëmtuarit Dimitrije Repac nga Beogradi, kontrata vërtetohet në Gjykatë Komunale në Pejë, e pastaj edhe pse e ka ditur se është i mashtruar dhe i vënë në lajthim, ia shet Januz Bajraktarit nga Juniku.

Për çka thuhet se ka kryer veprën penale të ‘’Mashtrimit’’ nga neni 335, par.5 e lidhur me par.1 të Kodit Penal, i cili dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë