Përfaqësuesi i palës së paditur thotë se i padituri nuk ka qenë pronar i veturës në ditën kur ka ndodhur aksidenti
Raporton: Samire BINAJ
Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, këtë të marte, është mbajtur shqyrtimi kryesor në çështjen kontestimore ku Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), po kërkon nga i padituri A.Sh, rimburësimin e dëmit në vlerë prej 1,859 euro.
Në këtë seancë, përfaqësuesi i palës së paditur, Visar Ostrozubi ka kundërshtuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e BKS-së, ku tha se në rastin konkret mungon legjitimacioni pasiv i palës së paditur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“I padituri A.Sh. nuk ka qenë pronar i veturës të cilën e ka shfrytëzuar vetëm atë ditë dhe nuk ka qenë në dijeni se automjeti i mikut të tij nuk ka sigurim”, tha përfaqësuesi Ostrozubi.
Lidhur me këtë, përfaqësuesi i paditësit, Mërgim Kokollari tha se shkaktari i aksidentit është Asllan Shala, ai po ashtu tha se i padituri Shala të pranoj borxhin pavarësisht rrethanave juridike të cilat do të prezentohen.
Tutje, ai tha se sipas nevojës do të rishikojmë edhe zgjerimin e padisë.
Seanca ka vazhduar me administrimin e provave, ku përfaqësuesi Ostrozubi ka kundërshtuar provën e propozuar nga BKS, transfer bankar lëshuar nga Banka Ekonomike me 20 prill 2017.
Për këtë, ai tha se nuk vërehet se në këtë grup të transaksioneve është përfshirë kompensimi i dëmit nga aksidenti.
Po ashtu, përfaqësuesi Ostrozubi tha se nga raporti i policisë 2016/GR/2090 më 27 dhjetor 2016, shihet se janë përfshirë tre vetura në aksident, për këtë ai tha se BKS dëmin e kërkuar për rimburësim nuk e ka bërë në bazë të përgjegjësisë eventuale të pjesëmarrësve në aksident.
Ostrozubi kundërshtime ka pasur edhe sa i përket transferit bankar të lëshuar nga Banka Ekonomike në Prishtinë më 27 prill 2017, ngase sipas tij, për dëmin e shkaktuar sipas këtij transferi është kompensuar në shumën prej 380 euro i dëmtuari nga aksidenti, A.J.
Kurse, përfaqësuesi Kokollari ka thënë se kompensimi i të dëmtuarit Jahdauti është bërë nga i autorizuari Ejup Qehaja në zyrën e noterit Bilgaip Maznikar më 27 dhjetor 2016.
Nga provat e administruara, është bërë edhe shiqimi i 27 fotografive.
Seanca e radhës është caktuar me 26 korrik 2022.
Ndryshe, në bazë të padisë së ushtruar më 27 maj 2019, Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) në Prishtinë, po kërkon nga i padituri A.Sh, rimburësimin e dëmit në vlerë prej 1,859 euro, për shkak të aksidentit të shkaktuar me 26 dhjetor 2016, me veturën e markës “AUDI”, me ç’rast nga ky aksident kanë pësuar dëme të dëmtuarit A.J dhe autoshkolla “Semafor”.
Në padi thuhet që meqenëse këtu i padituri në ditën e aksidentit ka qenë me afat të skaduar të polisës së sigurimit, të dëmtuarve kompensimin e dëmit në vlerë prej 1.859 euro ia ka kompensuar këtu paditësja BKS, dhe tani e njëjta këtë shumë po e kërkon të i rimburësohet nga i padituri A.Sh. /BetimipërDrejtësi