Përfaqësuesi i komunës së Suharekës në pushim vjetor, shtyhet seanca përgatitore në rastin ku tre mësimdhënëse po kërkojnë kompensimin e shujtave ditore

Gjykata ne Suhareke
Author

Raporton: Flutura Rraqi

Korrik 21, 2021

Suharekë – Mungesa e përfaqësuesit të komunës së Suharekës, avokatit Qazim Hasanaj, ka bërë që të shtyhet seanca përgatitore e së mërkurës, në rastin ku Lirije Rrafshi, Kaltrina Trolli dhe Besarta Përzhaku po kërkojnë kompensimin e shujtave ditore nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Në fillim të seancës, gjykatësi Shaban Zeqiraj ka thënë se avokati Hasanaj, me parashtresë ka njoftuar gjykatën se gjendet në pushim vjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Zeqiraj ka shtyrë seancën për datë 30 gusht 2021, në ora 11:30.

Ndryshe, sipas padisë së dorëzuar më 16 nëntor 2020, paditëset Lirije Rrafshi, Kaltrina Trolli dhe Besarta Përzhaku mësimdhënëse në shkollën “Sadri Duhla” të cilët me autorizim i përfaqëson avokatja Ibadete Xhafa, kanë kërkuar nga Gjykata që e njëjta t’ia aprovojë kërkesëpadinë, duke e obliguar Drejtorinë Komunale të Arsimit që t’ia paguaj shujtat ditore bazuar në Kontratën Kolegtive të Arsimit si dhe kamatën ligjore nga dita e parashtrimit të padisë e deri në pagesën definitive. /BetimipërDrejtësi