Përfaqësuesi i KGJK-së i bën vërejtje ekspertit, thotë se përllogaritja nuk është bërë në mënyrën e duhur

Raporton: Blinerë BEKA

Prishtinë – Përfaqësuesi i të paditurës Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Besim Mustafa, i ka bërë vërejtje në përllogaritje ekspertizës së ekspertit Aziz Berisha, duke thënë se përllogaritja u bë për një periudhë më të gjatë se ajo që paditësi ka qenë në arrest shtëpiak.

Kësaj vërejtje, eksperti Berisha iu ka përgjigjur se llogaritja është bërë në mënyrën e duhur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Llogaritja është bërë në bazë të të dhënave që më kanë dhënë”, ka thënë i njëjti.

Pas rishikimit të kësaj pjese, është vërtetuar se ekspertit Berisha i është thënë të punojë ekspertizën për të vlerësuar dëmin material dhe jomaterial që iu ka shkaktuar paditësit nga data 18 prill 2013 deri më 11 shkurt 2014.

Për këtë, gjykatësi Ylber Shurdhiqi ka thënë se ekspertiza është dashur të kryhet duke marrë për bazë vetëm ditët sa paditësi ka qëndruar në arrest shtëpiak.

“Sa i përket periudhës të cilën e kam cekur në ekspertizë, se paditësi është privuar padrejtësisht nga liria duke filluar nga 18 priml 2013 e deri më 11 shkurt 2014, në këtë seancë u konstatua se në të njëjtën periudhë janë përfshirë edhe ditët kur paditësit i është shndërruar masa e paraburgimit në atë të paraqitjes në polici, çka nuk është e drejtë”, ka thënë eksperti Berisha.

Më tutje, gjatë seancës, i njëjti ka bërë edhe ndryshimin e ekspertizës, ku në vend të shumës së mëparshme, ka dalë se fitimi i humbur për ditët sa ka qenë në arrest shtëpiak është 3 mijë 639 euro 99 centë, kamata arrin në 1 mijë e 920 euro e 22 centë, kjo duke e llogaritur deri më datën 30 prill 2021, kur është bërë ekspertiza.

Nga kjo ka dalë se fitimi i humbur bashkë me kamatë të llogaritur deri më datën e kryerjes së ekspertizës ka arritur shumën 5 mijë e 560 euro 20 centë.

Për këtë, ka pasur kundërshtime përfaqësuesja e paditësit Ismail Musliu, Edona Vuçitërna, e cila ka njoftuar gjykatën se detyrat e ekspertit nuk kanë qenë që të bëjë llogaritjen e fitimit të humbur derisa paditësi ka qenë në arrest shtëpiak, por të llogarisë fitimin e humbur për kohën sa ka qenë paditësi në arrest shtëpiak, edhe pas zëvendësimit të masës me paraqitje në stacionin policor.

Më tej, e njëjta ka thënë se nuk kërkon të bëhet ekspertizë tjetër, por që e kundërshton këtë ekspertizë dhe vazhdon të kërkojë fitimin e humbur për datat 18 prill 2013 e deri më 11 shkurt 2014.

Pas administrimit të provave nga gjykatësi Shurdhiqi, përfaqësuesja e paditësit Vuçitërna, në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se në bazë të provave të administruara është vërtetuar fakti se e paditura ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Kështu, e njëjta i ka propozuar gjykatës që të aprovojë kërkesëpadinë si në precizimin e kërkesëpadisë së datës 15 shtator 2021, si dhe i ka kërkuar shpenzimet si në precizim e padisë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i KGJK-së, Mustafa ka thënë se si palë e paditur nuk e kundërshtojnë bazën e kërkesëpadisë, por vetëm lartësinë e saj.

Gjithashtu, sa i përket dëmit material, gjykatës i ka kërkuar të marrë për bazë Udhëzimin Administrativ 04/2015 për zbatimin e procedurës për kompensimin e dëmit për personat e dënuar apo arrestuar pa arsye, ndërsa pjesën tjetër ka kërkuar ta refuzojë në tërësi si të pabazuar.

Ndryshe, Islam Musliu ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës – Avokaturën shtetërore të Republikës së Kosovës për kompensimin e dëmit.

Sipas padisë së ushtruar më 26 shtator 2014, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda të datës 18 prill 2013, nga gjyqtarja penalsite e EULEX-it, paditësit i është caktuar arresti shtëpiak në afat prej 30 ditësh, e pastaj me aktvendim, me datë 17 maj 2013 iu është vazhduar kjo masë edhe për 4 muaj.

Ndërkaq, sipas padisë, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 14 shtator 2013, masa e arrestit shtëpiak iu është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor.

Më tej, më 11 shkurt 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte lëshuar aktvendimin për ndërprerjen e hetimeve lidhur me të gjithë të pandehurit.

Për këto, në padi thuhet se paditësit iu është bërë një e padrejtë themelore, i është shkaktuar dëm material dhe moral, ku për shkak të këtij hetimi, paditësi ka humbur autoritetin e tij dhe i është zbehur imazhi, duke marrë parasysh që është përfolur në medie se ai bën pjesë në grup kriminal.

Duke marrë parasysh të gjitha këto dëme që iu kanë shkaktuar paditësit, ai po kërkon shumën prej 100 mijë euro, me kamatë ligjore prej 8% në vit, nga dita e ushtrimit të padisë. /BetimipërDrejtësi 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë