Për të katërtën herë me radhë, dështon të nis gjykimi ndaj deputetëve dhe ish-deputetëve për posedimin e gazit lotsjellës në Kuvend

Pallati
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shtator 15, 2020

Prishtinë- Ka dështuar të mbahet sërish seanca fillestare në rastin ndaj deputetëve aktual Pal Lekaj dhe Donika Kadaj-Bujupi, si dhe ish-deputeteve Besa Baftiu e Albulena Haxhiu, të akuzuar për posedim të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, mirëpo për të është bërë e ditur se ka kaluar nga Departamenti për Krime të Rënda në atë të Përgjithshëm.

Kurse, me vendim të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Departament të Krimeve të Renda, ka kaluar gjykatësja Fatime Dermaku.

Nga zyra e gjykatëses Dermarku, është bërë e ditur se e njëjta gjendet në pushim.

Ndërkaq, avokati i Pal Lekaj, Arianit Koci, ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, që seanca që është paraparë të mbahet sot nuk do të mbahet.

“Tani na treguan që gjyqtarja e rastit ka kaluar në një departament tjetër. Tash e presim ftesën e rregullt nga gjyqtarja e re”, ka thënë ai për “Betimi për Drejtësi”.

Edhe seancat e paraparë të mbahen me 10 korrik, 30 korrik e 2 shtator kishin dështuar të mbahen në këtë rast.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohet se pa autorizim kanë poseduar armë në atë mënyrë që, më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit që ju është bërë nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, te ta janë gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtëve duke i ngarkuar secilin veç e veç me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi