Për të tretën herë shtyhet seanca për rastin ku BKS po kërkon kompensimin e dëmit si pasojë e një aksidenti në trafik

GJYKATA E PEJES
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Prill 12, 2021

Pejë – Për të tretën herë, të hënën, ka dështuar të nis seanca përgatitore në çështjen civile ku Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) po kërkon nga i padituri, Kenan Brovina, rimbursim të dëmit në vlerë prej 408 euro.

Seanca e së hënës u shty me propozim të përfaqësuesit të BKS-së, Arlind Haziri, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Para fillimit të këtij gjykimi, përfaqësuesi Haziri i propozoi gjykatës që seanca të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetimin se nuk ka njohuri lidhur me këtë lëndë.

“I propozoj gjykatës që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër, pasi që nuk jam në njohuri për lëndën dhe nuk i jam i gatshëm të lëshohem në shqyrtim të kësaj çështje juridiko kontestimore”, deklaroi ai.

Një propozim të tillë nuk e kundërshtoi përfaqësuesi i të paditurit, avokati Asdren Mekaj, e më pas e aprovoi edhe gjyqtarja e çështjes, Ganimete Puka.

Kurse, seanca e radhës u caktua për 22 prill 2021, në ora 9:30.

Sipas padisë së ushtruar me 3 maj 2018, në Gjykatën Themelore në Pejë, Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) po kërkon nga i padituri, Kenan Brovina, kompensimin e dëmit në vlerë prej 408 euro, për shkak të aksidentit të trafikut të shkaktuar me 6 janar 2015, në Prishtinë.

Në padi thuhet se në ditën kritike, paditësi Brovina, me makinën e tipit “Renault”, ka shkaktuar aksident trafiku, me ç’ rast ka pësuar dëme i dëmtuari Hajrullah Spahiu. Sipas padisë, meqenëse në kohën e aksidentit i padituri ka pasur polisën e sigurimit të skaduar, dëmin e shkaktuar tek i dëmtuari e ka kompensuar BKS dhe për këtë arsye këtu paditësja këtë kompensim tani po e kërkon të ia rimbursoi i padituri Kenan Brovina. /BetimipërDrejtësi