Për të tretën herë dështon marrja në pyetje e dëshmitarit Ekrem Demolli në rastin e MTPT-së
Raporton: Diana BERISHA
Prishtinë – As në seancën e së mërkurës nuk filloi të jap dëshminë e tij Ekrem Demolli në rastin e njohur si “MTPT”, për shkak se Florent Latifaj, avokat i të akuzuarit Nexhat Krasniqi nuk ishte prezent në këtë seancë. Në seancën e kaluar kryetarja e trupit gjykues Maria Tuma kërkoi nga Latifaj të sqaroi nëse ky i fundit është këshilltar i jashtëm i ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha, e që në këtë rast kjo ministri është përfaqësuese e palës së dëmtuar dhe sipas gjykatës kjo gjë paraqet konflikt interesi.
Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, avokatja Edita Kusari zëvendësoi Latifajn dhe i dorëzoi një shkresë gjykatës. Kjo shkresë përmbante pranimin e dorëheqjes së Latifajt nga pozita e këshilltarit drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. Gjyqtarja Tuma morri vendim që kjo seancë të mos mbahet pasi që Latifaj gjithashtu duhet ta dorëzoj shkresën mbi aprovimin e dorëheqjes nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Në këtë proces gjyqësor, avokati Arianit Koci përfaqësues i të akuzuarit Endrit Shala, deklaroi se tërhiqet nga mbrojtja për të njëjtin. Ndërkaq Koci kërkoi nga gjykata që Shalës t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare.
Prokurori i çështjes Charles Hardaway propozoi që dëshmitari Ekrem Demolli, të mos ftohet për seancën e radhës, e cila është caktuar për 15 shtator për arsyeje se kanë mbetur shumë çështje të pazgjidhura, të cilat duhet të diskutohen në seancën e radhës. Prandaj si rrjedhojë Tuma morri vendim që Demolli të jap dëshminë e tij të premten me 16 shtator në ora 10.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT).
Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.