Për të pestën herë me radhë dështon seanca e rigjykimit për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Prizren

Dështimi i seancës për korrupsion, Bujar Nerjovaj
Author

Raporton: Rystem HALIMI

Nëntor 20, 2020

Prizren – Për të pestën herë me radhë, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Prizren, Bujar Nerjovaj.

Nerjovaj, i cili ka qenë edhe zëvendësministër i Administratës Publike, akuzohet se gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Shkak për mos mbajtjen e seancës ishte mungesa e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Xheladin Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për shkak të gjendjes shëndetësore nuk prezanton kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Xheladin Osmani”, konstatoi anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi.

Pasi që nuk pati kushte për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësja Skenderi njoftoi se ajo e radhës do të caktohet rishtas ku dhe do njoftohen palët me ftesa të rregullta.

Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin Bujar Nerjovaj dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda një viti pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, rigjykim apo lirimin nga akuza së të mbrojturit të tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi