Për të katërtën herë shpallet fajtor inspektori i Kamenicës që akuzohet për marrje ryshfeti

105973293_270078120722286_7078776354670299443_n
Author

Raporton: Teuta GASHI

Qershor 26, 2020

Gjilan – Inspektori i komunikacionit në Komunën e Kamenicës, Sadullah Dërmaku, të premten, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan, për veprën penale “marrja e ryshfetit”.

Sipas aktgjykimi të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Zyhdi Haziri, Dërmaku u dënua me 15 muaj burgim efektiv dhe 300 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Krahas kësaj, ndaj të akuzuarit u shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të vitit 2018, të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë prej 300 euro.

Po ashtu, ndaj Dërmakut, gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Mirëpo, e pakënaqur me vendimin dhe arsyetimin nga shkalla e parë, ankesë në Apel kishte paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Dërmaku, avokati Shemsedin Piraj, cili gjykatës së shkallës së dytë i kishte propozuar që të akuzuarin Dërmaku ta lirojë nga akuza apo lëndën ta kthej në rigjykim.

Mirëpo, të njëjtin dënim Gjykata Themelore në Gjilan ia kishte shqiptuar Dërmakut edhe më 31 janar 2019, ndaj të cilit dënim sërish kishin paraqitur ankesë mbrojtja e të akuzuarit dhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 25 prill 2019, e kishte kthyer rastin sërish në rigjykim.

Pas kthimit të lëndës në rigjykim, për të tretën herë prapë gjykata e shkallës së parë, Dërmakut më 18 nëntor 2019, ia kishte shqiptuar dënimin e njëjtë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadullah Dërmakut, të cilin e ngarkon me veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, Dërmaku më 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim qe vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro, para të cilat i ka marr nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar. /BetimipërDrejtësi