Për të katërtën herë me radhë dështon të nis rigjykimi për vrasjen e rëndë në Pejë

GJTHP KORRIK
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Korrik 28, 2020

Pejë – Edhe një herë tjetër ka dështuar të nis rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Kreshnik Haliti.

Ai akuzohet se në mars të vitit 2017, për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur në mes vete, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Mentor Zekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Arsyeja e dështimit të seancës së paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ishte mungesa e të akuzuarit Kreshnik Haliti, ku sipas kryetares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, nga zyrtari i burgut të Dubravës, Gani Shala, është njoftuar se i akuzuari gjendet në spitalin e burgut duke marrë infuzion.

Gjyqtarja Muhaxheri tha se ka kërkuar nga Shala që përmes emailit zyrtar ta njoftoj gjykatën lidhur me arsyetimet e mungesës në seancë të akuzuarit, mirëpo tha se ai nuk ka pranuar dhe ka deklaruar që një veprim të tillë do ta ndërmarrë mjeku i këtij burgu.

E njëjta konstatoi që sot rreth orës 08:50, përmes telefonit është kontaktuar nga një zyrtar i administratës së burgut, i cili e kishte pyetur gjykatën se a do të mbahet gjykimi, sepse i akuzuari Haliti ka deklaruar që seanca është shtyrë, mirëpo sipas saj të njëjtin e ka njoftuar që një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se seanca do të mbahet.

Gjyqtarja Muhaxheri po ashtu konstatoi se mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha është ftuar në mënyrë të rregullt për seancë, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ajo tha që para fillimit të gjykimit është munduar të kontaktoj përmes telefonit me avokatin Berisha, por nuk ka pasur sukses, duke shtuar se i njëjti përmes kërkesave disa herë ka kërkuar nga gjykata që t’i shtyjë seancat, mirëpo asnjëherë nuk ka paraqitur argumente lidhur me këto kërkesa.

Gjykatësja tha se nëse avokati brenda një kohe të shkurtër nuk do ta arsyetoj mungesën e tij, gjykata do të ndërmerr veprime ndaj tij sipas dispozitave ligjore.

Më pas me aktvendim seanca është shtyrë për 29 dhe 30 shtator 2020, në ora 10:00.

Ndryshe në sallën e gjykimit prezent ishte prokurori Ardian Hajdari, përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Gzim Kollçaku dhe përfaqësuesi i familjes së të dëmtuarit, Bajram Zeka.

Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe si rrjedhojë, ekzistojnë kundërthënie me arsyet e paraqitura lidhur me faktet vendimtare.

“Gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar lidhur me atë se i akuzuari Kreshnik Haliti ishte përgatitur me parë për ta privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj. Ekzistojnë kontradikta mes dispozitivit të aktgjykimit lidhur me përgatitjen paraprake të akuzuarit për të privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj, kjo për faktin se nga raportet e telefonisë “Vala” dhe “Ipko” del e kundërta me dëshminë e dëshmitares Mirjeta Zekaj, si prova materiale se i ndjeri i ka bërë telefonatat e fundit dhe gjykata lidhur me këtë fakt vendimtar e që është i rëndësishëm për cilësimin e veprës penale si kualifikuese nuk jep konkludime të qarta dhe të drejta se i pandehuri ishte i përgatitur më parë për ta privuar nga jeta të ndjerin”, theksohet në vendimin e Apelit.

Tutje, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se sipas shkresave të lëndës dhe provave të nxjerra, rezulton se i akuzuari kishte marrë borxh nga i ndjeri shumën prej 2000 mijë euro, për të rregulluar marrëdhëniet pronësore lidhur me një truall, meqë një pjesë të shtëpisë e kishte ndërtuar në pronë shoqërore.

“Këto të holla, dy herë nga 400 euro i pandehuri ia kishte kthyer të ndjerit, ndërsa sipas deklaratës së bashkëshortes  të ndjerit, Mirjeta Zekaj, rezulton se i ndjeri Mentor Zekaj ia kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 85 mijë euro, ndërsa pas privimit nga jeta në letrën e shkruar rezulton të jetë një borxh prej 77 mijë euro, dhe gjykata  nuk jep arsye bindëse dhe argumentuese se cili ishte borxhi i vërtetë, apo shuma e të hollave prej 77 mijë euro, ishin për blerjen e tokës së konfiskuar e cila nga AKP-ja, duhet të blihej nga i akuzuari bashkë me Florijan Kelmendin, meqë i akuzuari nuk kishte të gjitha të hollat e gatshme për të blertë këtë tokë”, thuhej në vendimin e Apelit.

Në fund, gjykata e Apelit ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë t’i nxjerrë të gjitha provat, të dëgjojë dëshmitarët se a ka ekzistuar borxhi për shkak të cilit është privuar nga jeta i ndjeri Mentor Zekaj nga i akuzuari Kreshnik Haliti, për shkak të dobisë pasurore dhe me kujdes të analizohen video incizimet.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, rreth orës 16:10, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore  e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Këto veprime, gjithmonë sipas aktakuzës, kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Mentor Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’ rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm. /BetimipërDrejtësi