Për të dytën herë brenda javës dështon gjykimi ndaj të akuzuarës për përvetësim në detyrë

Merita Shehu foto (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 11, 2019

Gjakovë – Për të dytën herë brenda kësaj jave ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-arkëtares së institucionit mikro-financiar “Finca”, Merita Shehu, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Merita Shehu po akuzohet se ka marrë nga institucioni ku ka punuar shumën e parave në lartësi prej 23.977 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për dështimin e seancës, e paraparë që të mbahej të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ishte sërish mungesa e mbrojtësit të të akuzuarës Shehu.

E akuzuara Shehu, ka kërkuar nga Gjykata që kjo seancë të shtyhet pasi që për momentin është pa avokat, dhe se dëshiron të angazhojë avokat tjetër, pasi që mbrojtësit të deritanishëm Esat Gutaj, ia ka revokuar autorizimin.

“E kam revokuar autorizimin avokatit Esat Gutaj më 10 korrik, pasi që kam kuptuar se i njëjti për datën 9 korrik 2019 nuk ka qenë ajo arsyeja se ka qenë i sëmurë në seancën e fundit, dhe se për shkak të premtimeve që më janë bërë dhe për këtë unë do të ankohem tek oda e avokatëve”, ka deklaruar e akuzuara Shehu.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika seancën e radhës e ka caktuar që të mbahet më 30 korrik 2019, në ora 11:00.

Edhe seanca e 9 korrikut të këtij viti kishte dështuar të mbahej, për shkak të mungesës së mbrojtësit të së akuzuarës Shehu.

Ndryshe, së seancën e 16 janarit të këtij viti, e akuzuara Merita Shehu kishte kërkuar që të hyjë në negocim të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.

Një kërkesë të tillë e kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarës Merita Shehu, avokati Esat Gutaj.

Avokati Gutaj, kishte kërkuar kohë që të diskutohet me përfaqësuesin e të dëmtuarës “Finca”, Auberon Kelmendi dhe me prokurorin e rastit Agron Matjani, që të arrihet një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Lidhur me negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë nuk kishte pasur kundërshtime as nga prokurori Matjani, derisa i gatshëm për një gjë të tillë ishte shprehur edhe përfaqësuesi i “Finca”, Auberon Kelmendi, por kjo marrëveshje kishte dështuar të arrihet.

Ndërkaq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 dhjetor 2018, e akuzuara Merita Shehu ishte deklaruar e pafajshme.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 29 tetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës Merita Shehu.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore prej janarit të vitit 2018, e deri më 14 qershor 2018, në cilësinë e personit zyrtar-arkëtare në institucionin mikro-financiar “Finca”, me degë në Rahovec, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë, e cila i është besuar për shkak të detyrës.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që prej arkës ka marrë shumën e të hollave të gatshme 14.200 euro, po ashtu ajo ka përvetësuar pagesat e ratave të kredive të 40 klientëve në shumë totale prej 9.777,50 euro dhe të njëjtat pagesa nuk i ka regjistruar dhe nuk janë futur në arkë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë” nga neni 425 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi