Vushtrri – Sabit Mehmeti është dënuar kusht prej 120 ditë burgim, Xhevat Imeri dhe Abedin Haradini janë dënuar me nga 60 ditë burgim brenda një viti, për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose te autoritetit zyrtar. Ky aktgjykim është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, nga kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti. Sipas aktgjykimit, dënimi me kusht prej 120 ditë dhe dy të tjerve me nga 60 ditë, nuk do të ekzektutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti të njëjtit nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga Prokurori Ismet Ujkani tre të akuzuarit ngarkohen se në bashkëkryerje në cilësinë e zyrtarëve në Agjencionin e Pyjeve të Kosovës – Dega në Vushtrri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk kanë përmbushur obligimet që dalin nga ushtrimi i detyrës zyrtare, duke i liruar Sami Ismajlit sasinë e drunjëve prej 0.85 metra kub, të cilat Agjencioni Qendror i Pyjeve të Kosovës i kishte konfiskuar më 7 nëntor 2012.