Për shkak të problemeve shëndetësore të të akuzuarit, shtyhet seanca për korrupsion

Raporton: Fjolla GAXHA

Gjakovë – Edhe seanca e së hënës e paraparë të mbahet në Gjykatën Themelore në Gjakovë ndaj të akuzuarit Njazi Xharavina është shtyrë për shkak të problemeve shëndetësore të tij. Për këtë arsye, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Teki Bokshi me parashtresë ka kërkuar nga gjykata që kjo seanca të shtyhet.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu konstatoi mungesën e të akuzuarit dhe seancën e caktoi më 5 tetor 2016, në ora 10:00.

Ish-Prokuroria Publike Komunale në Gjakovë kishte ngritur aktakuzë në dhjetor 2010, me të cilën akuzonte Njazi Xharavinën se duke qenë zyrtar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë ka shpërdoruar detyrën zyrtare. Sipas aktakuzës, ai kishte regjistruar në librin amëz të këtij institucionit një person, të cilit ia ka regjistruar të gjithë semestrat dhe provimet si të përfunduara dhe në fund i ka lëshuar një diplomë për mësim klasor.

Sipas prokurorisë, këtë shërbim të kundërligjshëm, i akuzuari e kishte kryer për një shpërblim prej 2000 eurove.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë