Për shkak të problemeve me identifikimin e njërit të akuzuar, shtyhet sërish seanca për posedim e shitje të narkotikëve

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Për shkak të problemeve me identifikimin e të akuzuarit B.H, është shtyrë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, për posedim e shitje të narkotikëve.

Në këtë rast, të akuzuarit B.P, Y.K dhe B.H, ngarkohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca filloi me një orë vonesë, fillimisht për shkak të vonesës së shkurtër të prokurores Natasha Radoviq dhe më pas të mbrojtësit të të akuzuarit B.H, abokatit Agim Lushta.

Në seancën e sotme, të pranishëm ishin i akuzuari B.P me avokatin sipas autorizimit Gani Rexha, i akuzuari Y.K me avokatin sipas detyrës zyrtare Leotrim Ademi dhe i akuzuari B.H me avokatin sipas detyrës zyrtare Agim Lushta, si dhe dëshmitari Sh.L. Ndërsa, mungoi dëshmitar B.H.

Derisa kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj vazhdoi me konstatimin e të dhënave personale të të akuzuarve, i akuzuari B.H theksoi se e ka ndërruar mbiemrin diku para rreth 7-8 viteve, por që gjyqtari hasi në kundërthënie, përderisa në vitin 2019, kur rasti ishte në shqyrtim tek një gjyqtar tjeter, i akuzuari ishte prezentuar me po këtë mbiemër dhe jo me mbiemrin tjetër për të cilin konstaton se ka vite që e ka ndërruar.

Në këto rrethana, trupi gjykues konstatoi se nuk mund të vazhdojnë me shqyrtimin gjyqësor, ndërsa obliguan të akuzuarin B.H që para datës së shqyrtimit të ardhshëm, t’i dorëzojë gjykatës dokumentin adekuat të zyrës së gjendjes civile të Komunës, në bazë të së cilit e ka ndërruar mbiemrin.

Në këto rrethana, trupi gjykues vendosi që shqyrtimi i sotëm gjyqësor të shtyhet dhe i njëjti u caktua më 31 mars 2022.

Ndryshe, Prokuroria Publike e Qarkut, në Mitrovicë, më 29 nëntor 2011, kishte ngritur aktakuzë kundër B.P, Y.K dhe B.H.

Sipas prokurorisë, i akuzuari B.P, më 1 tetor 2009, në Mitrovicë në parkun e qytetit përballë “Tre rrokaqiejve”, i akuzuari B.P, pa autorizim ka shpërndarë substanca narkotike dhe me qëllim shitje, i ka ofruar të dëmtuarit Sh.L substancë narkotike të llojit marihuanë, të cilën e ka mbështjellë në formë të cigares dhe ia jep atij, por të njëjtit janë vërejtur nga një patrullë policore, të cilët i kanë ndaluar dhe i kanë konfiskuar cigaren e mbështjellë me marihuanë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe i substancave psikotropike” nga neni 229, par.2 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, B.P, deri më 14 janar 2012, në shtëpinë e përbashkët familjare të banimit, pronë e Xh.P në Mitrovicë, pa autorizim ka kultivuar, përpunuar, ekstraduar ose përgatit substanca që janë shpallur të rrezikshme si narkotikë ose substanca psikotropike me qëllim shitje, shpërndarje ose ofrim për shitje, ashtu që policia gjatë kontrollimit në shtëpinë e tij ka gjetur paketime me substanca narkotike dhe të njëjtat i janë konfiskuar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike” nga neni 230, par.1 të Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se B.P, Y.K dhe B.H në kohë të panjohur e deri më 9 dhjetor 2009 duke vepruar si anëtarë grupi, pa autorizim kanë shitur apo shpërndarë substanca narkotike apo preparate të cilat janë shpallur të rrezikshme.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe i substancave psikotropike” nga neni 229, par.2 lidhur me par.4 pika 1 të Kodit Penal, kurse B.P, në bashkim real me veprat penale si nënpar. 1 e 2 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë