Për shkak të pandemisë, është anuluar gjykimi për korrupsion ndaj oficerit korrektues në Dubravë

Pallati
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 16, 2020

Prishtinë – Për shkak se në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë pezulluar seancat gjyqësore, si pasojë e rritjes së numrit të punëtoreve të gjykatës të infektuar me virusin Covid-19, është anuluar edhe gjykimi ndaj oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, Mentor Avdylaj, i akuzuar për marrje ryshfeti.

Avdylaj, aktualisht i suspenduar, po akuzohet se kishte marr 2,000 euro ryshfet, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të një personi që ishte në vuajtje të dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit po akuzohet Astrit Lajqi.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, për “Betimi për Drejtësi”, njoftoi se kishte anuluar të gjitha seancat të cilat ishin në shqyrtim gjyqësor, duke përfshirë edhe këtë seancë.

Ajo tha se këtë e kishte bërë, pasi kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, kishte marrë vendim për pezullimin e seancave si pasojë e përhapjes së pandemisë.

Sipas saj, ndaj të akuzuarit Lajqi ende është në fuqi urdhër arresti i lëshuar ndaj tij.

Ndryshe, Avdylaj si oficer i Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë dhe i akuzuari Lajqi, në seancën e mbajtur më 27 dhjetor 2018, ishin deklaruar i pafajshëm.

Lidhur me këtë rast, i akuzuari Avdylaj kishte qenë nën masën e paraburgimit, e cila i ishte hequr nga gjykatësi Mustaf Tahiri pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar ndaj tij.

Mirëpo, pasi që gjykatësi Tahiri ishte transferuar sërish në Gjykatën Themelore të Ferizajt, pas skadimit të mandatit si gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rasti ka kaluar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylaj për veprën penale “marrje e ryshfetit”, dhe Astrit Lajqit për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Avdylaj më 12 mars 2018, në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari Bajram Hoti.

Në aktakuzë thuhet se Avdylaj 2,000 euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të Shpejtim Hotit, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi dyshohet se kishte marrë 2,000 euro ryshfet nga Bajram Hoti, në prani të dëshmitarit Sherafedin Qerimi dhe ia kishte dërguar Avdylajt. /BetimipërDrejtësi