Për shkak të mungesës së prokurores shtyhet gjykimi për grabitjen e të hollave në qendrën tregtare në Deçan

26 foto00o
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Nëntor 29, 2019

Pejë – Mungesa e prokurores së rastit, Valbona Dishaj-Haxhosaj ka bërë që të shtyhet për ditë tjetër seanca e cila ishte paraparë të mbahej të premten, në Gjykatën Themelore në Pejë, për rastin Norik Hashanit, Besfort Kabashit, Fatlum Bytyqit dhe Leutrim Bajselmanajt, të akuzuar për grabitjen në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në Deçan.

Ata akuzohen se në janar të këtij viti, duke vepruar si grup dhe me përdorim të revoles kishin grabitur mbi tetë mijë euro nga punëtorët e kësaj qendre tregtare.

Së bashku me ta akuzohet edhe Alban Gashi, por në aktakuzë thuhet se i njëjti ndodhet në arrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dështimin seancës të së premtes, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Tringa Zhuti.

Sipas Zhutit, prokurorja kishte kërkuar që seanca e sotme të shtyhet dhe për këtë shtyrje me kohë ishin njoftuar të gjithë palët në procedurë.

Ajo gjithashtu njoftoi se lënda penale ndaj të akuzuarve është  në Apel, për shkak të ushtrimit të ankesës ndaj vazhdimit të masës së paraburgimit.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 13 dhjetor 2019, duke filluar prej orës 10:00.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 26 mars të këtij viti, të pandehurit Norik Hashani dhe Leutrim Bajselmani e kishin pranuar fajësinë, ndërsa dy të pandehurit të tjerë, Fatlum Bytyqi dhe Besfort Kabashi ishin deklaruar të pafajshëm.

Mirëpo, ky pranim i fajësisë nuk ishte aprovuar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu, me arsyetimin se katër të pandehurit kishin vepruar në grup dhe jo ndaras.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 7 mars 2019, i ngarkon të pandehurit Norik Hashani, Besfort Kabashi, Fatlum Bytyqi dhe Leutrim Bajselmanaj se më 21 janar 2019, rreth orës 11:23, në Deçan, duke vepruar si grup dhe me përdorim të revoles kishin kryer grabitur 8543 euro, nga punëtorët e “Viva Fresh Store”, Albina Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj.

Aktakuza përshkruan veprimet e të pandehurve si të planifikuara dhe të koordinuara ndërmjet tyre, ashtu që sipas prokurorisë, i pandehuri Alban Gashi (i cili gjendet në arrati), i kishe siguruar grupit informacionet e sakta, ndërsa sipas sugjerimeve të të pandehurit Fatlum Bytyqi, i akuzuari tjetër Besfort Kabashi, merr me qira një makinë, me të cilën të pandehurit Norik Hashani dhe Leutrim Bajselmani shkojnë në Deçan dhe parkohen tek parkingu i “Viva Fresh Store”.

Sipas akuzës, në momentin kur të dëmtuarit dalin nga marketi me qëllim të dërgimit të pazarit në bankë, i pandehuri Norik Hashani, vjen me veturë afër të dëmtuarës Ramosaj dhe nga vetura del i pandehuri Leutrim Bajselmani dhe nën kërcënimin e armës ia merr çantën nga krahu, në të cilën gjendej shuma prej 8 mijë e 543,67 euro.

Sipas aktakuzës, këto të holla të pandehurit i ndajnë ndërmjet vete.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës e ngarkon Besfort Bytyqin se kishte poseduar armën “Zoraki” pa autorizim, e cila ishte përdorur nga i pandehuri Leutrim Bajselmani për kryerjen e grabitjes. /Betimipërdrejtësi