Për shkak të mungesës së avokatëve, tetë seanca dështojnë në Gjykatën e Malishevës

Objekti nga jashte Malisheve
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Janar 9, 2019

Malishevë – Gjithsej tetë seanca gjyqësore nuk kanë arritur të mbahen të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Shkak për dështimin e këtyre seancave, ka qenë mungesa e avokatëve që kanë përfaqësuar palët në procedura të ndryshme gjyqësore.

Këto seanca që kanë dështuar të mbahen kanë qenë nga lëndët civile.

Për numrin e dështimit të këtyre seancave, për “Betimi për Drejtësi”, e kanë konfirmuar gjykatësit Haki Kryeziu dhe Nehat Qelaj, të cilët i kanë pasur në orar këto seanca.

Gjykatësi Kryeziu ka thënë se te ai kanë dështuar dy seanca, kurse kolegu i tij Qelaj, ka thënë se në gjashtë raste nuk kanë arritur të mbahen seancat te ai, për shkak të bojkotit të avokatëve.

Për dallim nga lëndët civile, në këtë gjykatë nuk kanë dështuar seancat në lëndët penale.

Gjykatësi Njazi Morina, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se në divizionin penal për të mërkurën nuk ka dështuar asnjë seancë gjyqësore, pasi sipas tij, vetëm një është mbajtur pa praninë e avokatëve, kurse në seancat e tjera mbrojtja nuk ka qenë e obligueshme, prandaj edhe palët nuk kanë pasur avokat të angazhuar.

Ndryshe, Oda e Avokatëve të Kosovës, ka marr vendim për bojkotimin e të gjitha seancave në nivel vendi, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me anë të të cilit avokatëve u kufizohet qasja në objektet e gjykatave, pa një leje paraprake.