Për shkak të falimentimit të KS “INSIG” ndërprehet procedura për kompensim dëmi dhe padia do të orientohet në BKS

Raporton: Florentina OSMANI

Podujevë: Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, është ndërprerë procedura për kompensim dëmi, ku padiës është Isak Mehmeti më avokat Zaim Istrefi, ndërsa e paditur Kompania e Sigurimeve “INSIG”.

Në gjykimin e sotëm, pala e paditur nuk ka qenë prezente, e sipas gjykatësit të çështjes Binak Duqi, të njejtit e kanë pranuar ftesën me datën 08.09.2021 dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar në asnjë formë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke qenë se ky rast është i kthyer në rigjykim, gjykatësi Duqi tha se sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit në aktgjykimin me numër CA.nr.3368/2017, të datës 24.03.2017, gjykata ka pasur për detyrë të ftoj palët përsëri në seancë.

Mirëpo, avokati i palës paditëse Zaim Istrefi, e njoftoj gjykatën se pala e paditur KS “INSIG” ka  falimentuar, e duke qenë se sipas rregullave në fuqi sipas tij, tani përgjegjësinë e merr Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).

“Padinë më tutje do ta orientojmë me parashtresë të veçantë ndaj BKS-së, pasi të plotësohen kushtet ligjore, prandaj i propozoj gjykatës që të ndërpresë procedurën deri në parashtrimin e propozimit tonë për vazhdimin e të njejtës”, përfundoj avokati Zajmi.

Gjykatësi Binak Duqi, e ka aprovuar këtë propozim dhe gjykata në Podujevë e ka ndërprerë këtë procedurë, duke përfunduar se palët do të njoftohen brenda afatit ligjor me vendimin në formën e shkruar.

Ndryshe, sipas padisë Isak Mehmeti e ka paditur KS “INSIG”, për aksidentin e komunikacionit të datës 20 mars 2009, në ora 17:55, në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë, me lëndime të rënda trupore të pësuara nga paditësi.

Sipas kësaj padie, vlera e kontestit është 5000 euro./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë