Për shkak të bojkotit të avokatëve, dështuan 13 seanca në Gjykatën Themelore në Pejë

10 janar 2019 Foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ dhe Rita MAZREKAJ

Janar 10, 2019

Pejë – 13 seanca gjyqësore kanë dështuar gjatë së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, si pasojë e mungesës së avokatëve që kanë përfaqësuar palë të ndryshme.

Dështimin e këtyre seancave për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.

Që nga e mërkura kur ka filluar bojkoti i avokatëve, në këtë gjykatë janë shtyrë 34 sanca gjyqësore, për vetëm dy ditë.

Përveç gjykatës, vendimi i Odës së Avokatëve të Kosovës për bojkot ka përfshirë edhe institucionin e Policisë së Kosovës.

Por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Pejë, Xhevat Ibraj, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se gjatë dy ditëve në këtë institucion nuk ka pasur ndonjë rast, ku do të duhej të ishte prezent avokati mbrojtës.

Ndryshe, shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.