Për shkak të bojkotit të avokatëve dështojnë 30 seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Pallati i Drejtesise  (15) (2)
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Janar 9, 2019

Prishtinë – Pakënaqësia e avokatëve ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur ata kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, ka bërë që të dështojnë shumë seanca në çdo gjykatë të vendit.

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtine sipas zëdhënëses Mirlinda Gashi, si pasojë e bojkotit të avokatëve kanë dështuar të mbahen 30 seanca, ndërsa 30 tjera janë mbajtur përkundër mos prezencës së avokatëve.

Ndër seancat që nuk janë mbajtur të mërkurën ishte edhe gjykimi që po zhvillohet ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve, në rastin e njohur si “KEK 2”.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.