Për shkak të bojkotit të avokatëve, dështojnë 21 seanca në Gjykatën Themelore në Pejë

peja
Author

Raporton: Driton NOCAJ dhe Rita MAZREKAJ

Janar 9, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, është karakterizuar më dështim të theksuar të seancave gjyqësore, të cilat kanë ardhur si shkak i bojkotimit të përgjithshëm të avokatëve mbrojtës në nivel vendi.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.

Si pasojë e respektimit të këtij vendimi të OAK-ut nga avokatët mbrojtës, në Gjykatën Themelore në Pejë, të mërkurën, kanë dështuar gjithsej 21 seanca gjyqësore, përfshirë ato në Departamentin e Përgjithshëm, atë Penal si dhe ato në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.

Në mesin e seancave të dështuara për këtë arsye ka qenë edhe ajo ndaj Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja, të cilët akuzohen për bashkim kriminal të vrasjes së rëndë.

Dështimin e kësaj seance për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i cili deklaroi se arsyeja për mos mbajtjen e seancës ishte bojkoti i avokatëve.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me avokatin Arianit Nikçi, i cili është përfaqësues i Odës së Avokatëve në Pejë.

Ai ka thënë se vendimi i Odës së Avokatëve për bojkotim, është i arsyeshëm dhe se e përkrahin një vendim të tillë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, përmes një përgjigje dërguar “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se urdhri për kufizimin e qasjes së avokatëve dhe palëve do të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe pas bojkotimit të punës nga avokatët.

Madje, një urdhër i tillë është publikuar edhe në hyrje të kësaj gjykate.